Kur ka mbetur vetëm më pak se një muaj nga Samiti i NATO-s në Strasburg, i cili do të kurorëzojë anëtarësimin me të drejta të plota të Shqipërisë në këtë strukturë, mazhoranca dhe opozita në unanimitet kaluan në komisionin e ligjeve paketën për aderimin e Shqipërisë në Aleancë.
Për specialistët e ministrisë së Jashtme 5 projektligjet, të cilat përbëjnë edhe bazën ligjore të kësaj pakete janë një kusht dhe detyrim i NATO-s ndaj të gjitha vendeve dhe shënojnë përmbylljen e procesit.
Agim Faga: “Marrëveshja më e rëndësishme e aderimit, anëtarësimit të një vendi në NATO sigurisht që është miratimi i traktatit të Uashingtonit. Ka një sërë dokumentesh që quhen paketa ligjore e përbashkët me 5 ligje të ndryshme, të cilët kanë të bëjnë me kalimin e trupave. Sigurisht një vend anëtar i NATO-s duhet të dërgojë trupa jashtë, apo do të kalojë trupa nëpërmjet Shqipërisë. Jemi në fundin e fundit të gjithë procesit të anëtarësimit në NATO. Shqipëria defakto është një vend i NATO-s sot. Kanë mbetur dhe pak procedura të vogla të cilat momentalisht janë dërgimi në departamentin e shtetit i instrumenteve të ratifikimit.”
Por çfarë qëndron në themel të kësaj pakete, parashikohet që të jetë këshilli i ministrave ai që do të vendos për pjesëmarrjen, kalimin apo jo të forcave të armatosura të Shqipërisë në operacionet e vetëmbrojtjes kolektive në kuadër të këtij traktati.
Gjithashtu përcaktohet dhe buxheti ushtarak i NATO-s për vendin tonë. Paketa përcakton edhe statusin e shtabeve ushtarake ndërkombëtare, ashtu sikundër ravizon qartazi dhe dhënien e një imuniteti financiar NATO-s, çka do të thotë se mjediset dhe pronat e aleancës janë të paprekshme. Gëzojnë imunitet të plotë dhe janë tërësisht të përjashtuara nga taksat. Paketa ligjore për aderimin e Shqipërisë në NATO u miratua në 11 shkurt nga këshilli i ministrave./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro