Të gjitha vendet e Ballkanit duhet të integrohen në Bashkimin Evropian brenda vitit 2014.
Ky është propozimi i kryeministrit e njëkohësisht Ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Jorgos Papandreu, i bërë publik gjatë vizitës së tij në Stamboll.
Papandreu tha se ka ardhur koha që këto vende të bëhen pjesë e bllokut 27 anëtarësh ne 100-vjetorin e fillimit te Luftës së Parë Botërore.
Takimi me kryeministrin turk, Taip Erdogan, u fokusua në çështjen e integrimit evropian, ku Papandreu u shpreh se BE duhet të japë një mesazh të fortë për popullin turk e të tregojë se dera për anëtarësim është e hapur, por siç theksoi ai, Ankaraja duhet të plotësojë kushtet e t’u përmbahet premtimeve për të cilat është zotuar.
E persa i përket integrimit te vendeve te Ballkanit ne BE, Papandreu nuk anashkaloi as Maqedoninë, vend me te cilin Greqia ka konfliktin e hapur për çështjen e emrit.
Shefi i qeverise se Athinës tha se Greqia ndan të njëjtat interesa si fqinji i saj, duke nënvizuar se duhet gjetur zgjidhja që të çojë në stabilizimin dhe rritjen e sigurisë në rajon.
Por ashtu siç është deklaruar edhe më parë, Papandreu mbajti të njëjtin qëndrim me paraardhësin e tij Karamanlis, duke thënë se qëndrimi i Greqisë lidhur me çështjen e emrit është i qarte.
Maqedonia duhet ta ndërrojë emrin e saj kushtetues e se për këtë problem duhen gjetur rruge zgjidhjeje./tvklan.al