Progres raporti i Shqipërisë për këtë vit është përshëndetur në kuvend nga kryeministri Berisha, i cili e vlerësoi atë si më të mirin dhe me inkurajuesin nga Komisioni Evropian.

Nga foltorja e parlamentit numri një i qeverise deklaroi se raporti do të lexohet nga ekzekutivi  jo vetëm për arritjet, por do të jetë dhe një program pune për të përmbushur të gjitha detyrimet që rrjedhin prej tij.

Sali Berisha: “Ky është raporti më i mirë, më inkurajues in KE për vendin tonë. Ky raport në përmbajtjen e tij, ky është raporti i parë në historinë e vendit që bën fjalë për zgjedhje të standardeve ndërkombëtare. Ky raporti nga qeveria ime do të lexohet para së gjithash dhe mbi të gjithash dhe mbi të gjitha për arritjet që mungojnë dhe për arritjet që duhen në të ardhmen. Do të jetë një program serioz pune në mënyrë që në tetorin që vjen ne të kemi përmbushur të gjitha detyrimet që rrjedhin nga ky raport. Lufta kundër korrupsionit cilido që të jetë çmimi i kësaj lufte do të jetë përparësi e të gjitha përparësive”.

Gjatë fjalës së tij mbajtur përpara deputetëve të maxhorancës, kryeministri Berisha e ftoi opozitën socialiste që të vijë në parlament, pasi sipas tij edhe në progres raportin e publikuar nga KE të mërkurën flitet për zgjedhjet e standardeve ndërkombëtare.

Sali Berisha: “Shqipëria del nga lista e vendeve me zgjedhje të kontestueshme. Kur sot zoti Edi Rama vlerësoi raportin dhe shprehu vlerësimin e tij. Por natyrisht shpresoj dhe uroj që raportin ta lexoj në përmbushje të të gjitha detyrimeve që ai ka, që ne kemi ndaj dhe shfrytëzoj rastin ta ftoj këtu zotin Rama, të autorizoj partinë e tij të marrë pjesë në parlament, të vazhdojmë së bashku reformën zgjedhore, reformën për mekanizmin themelor të demokracisë në Shqipëri, e garantoj se kjo shumicë nuk do ta ndjejë vetën të tijën, por përkundrazi do t’i japë opozitës zërin kryesor në këtë reformë”.

Ndërkaq i vetmi opozitar i rreshtuar tashmë përkrah PS-së, i pranishëm në sallë zoti Vangjel Dule, replikoi me kryeministrin Berisha lidhur me atë që ai e cilësoi mosplotësim i standardeve nga ana e qeverisë në lidhje me respektimin e të drejtave të minoriteteve, përsa i përket regjistrimit të popullsisë.  

Vangjel Dule: “Duhet që qeveria t’i kushtojë më shumë vëmendjen atyre aspekteve që konstaton progres-raporti në lidhje me të drejtat e minoriteteve. Dhe ky kriter, aty ku jetojnë historikisht dhe në numra të konsiderueshëm konstatohet vetëm nëpërmjet një procesi i cili është regjistrimi i popullsisë. Ku qytetarët të kenë të drejtën krahas gjeneraliteteve të tjera, të deklarojnë edhe përkatësinë e tyre etnike, gjuhën amtare dhe … fetar”.

Sali Berisha: “Ke mbështetjen e plotë të kryeministrit. Unë jam dhe në regjistrimin e këtij vendi që do bëhet nga kjo qeveri, çdo qytetar do ketë të drejtën të shënoi gjuhën, përkatësinë etnike, besimin fetar”.

Progres raporti i Komisionit Evropian për këtë vit iu dorëzua autoriteteve më të larta të shtetit të mërkurën nga kreu i KE-së në Tiranë, Helmut Lohan./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro