Sipas MeteoAlb, gjatë pjesës së parë të ditës Shqipëria do të jetë nën mbizotërimin e kthjellimeve dhe vranësirave të lehta në bregdet dhe zonat e ulëta, por vranësira më të shpeshta do të ketë në zonat malore.
Orët e pasdites; sjellin grumbullim të vranësirave duke gjeneruar rrebeshe shiu në pjesën më të madhe të vendit, por më të theksuara reshjet do të jenë në ekstremin jugor si edhe zonat juglindore ku herë pas here, shirat paraqiten në formë shtrëngate.
Parashikohet që orët e vona të mbrëmjes të përmirësojnë kushtet atmosferike në të gjithë territorin e vendit.
Temperaturat e ajrit do të rriten në vlerat minimale, por mbeten konstante maksimalet duke u luhatur nga 11°C vlera më e ulët deri në 29°C vlera më e lartë në rang vendi; e cila do të shënohet në Elbasan.
Era do të fryjë mesatare në tokë dhe deri e fortë në det me shpejtësi mbi 45 km/h nga drejtimi veriperëndimor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim mbi 3 ballë./tvklan.al