Pak orë pas prodhimit të letërnjoftimit të parë elektronik parlamenti u përfshi nga debate mes mazhorancës dhe opozitës, shkak i përplasjeve ishte projektligji për tatimin mbi vlerën e shtuar si dhe deklarata e ministrit të Financave Ridvan Bode, sipas të cilit, asnjë shtetas nuk ka paguar tvsh për dokumentin e ri elektronik.

Më tej Bode shtoi se përjashtimi i qytetarëve nga ky detyrim është bërë pavarësisht kontratës e cila qartësonte se tvsh-ja duhej paguar nga shtetasit shqiptarë.

Ridvan Bode:Asnjeri nuk ka paguar tvsh për kartën e identitetit, po bëjmë prapë atë që kemi bërë në praktikë që e keni kërkuar ju, të përjashtohet nga tvsh-ja dhe unë prandaj po them që ju nuk dini çfarë kërkoni nuk dini për çfarë llafosni. Ka qenë kërkesë e juaja që të përjashtohet nga tvsh-ja, jua kemi sjellë zotëri.”

Në kundërpërgjigje socialistët thanë se kjo heqje e tvsh-së nuk shkon në interes të qytetarëve dhe se qeveria duhet të shpjegojë se ç’po bëhet me shpërndarjen e kartave.

Blendi Klosi:Kosto për çdo qytetar shqiptarë do të jetë 12 mijë lekë të vjetra, 1200 lekë, pra këtë dua të sqaroj qytetarëve shqiptar, kjo është kosto dhe nuk do të ketë ulje, ky vendim i parlamentit të sotëm nuk e ul dot çmimin, qytetarët janë të njohur. Problemi jonë është më i madh, vazhdon direkt procesi i transparencës së mënyrës së shpërndarjes së këtyre, këtij dokumenti kaq të rëndësishëm për qytetarët shqiptarë. Në qoftë se një qytetar i Hasit, i Kukësit, i Gjirokastrës apo i një zone rurale është i regjistruar në zonën e tij rurale dhe banon sot në Tiranë, do i duhet qeverisë që ta marri atë qytetar dhe ta çojë në Has apo në Kukës që të bëjë aplikimin për kartë identiteti.”

Ministri i Brendshëm ndërsa e cilësoi spekulim koston e letërnjoftimit të ri elektronik në replikë me deputetët e opozitës tha, se qeveria nëpërmjet 2 vendimeve ka parashikuar masa lehtësuese për të gjithë shtresat në nevojë dhe për ata shtetas të cilët nuk kanë pasaporta.

Bujar Nishani:Çdo komunë dhe çdo bashki e këtij vendi ka marrë lisat emërore të të gjithë qytetarëve shqiptar, të cilët nuk kanë pasaporta, ka marrë vendimin e qeverisë i cili i detyron ata për t’i njoftuar nominalisht, individualisht të gjithë këta qytetarë të cilët deri më datën 10 shkurt duhet të fillojnë aplikimin për marrjen e letërnjoftimit. Nëse të gjithë qytetarët e tjerë do a blejmë me 1200 lekë, studentët shqiptar do ta blejnë vetëm me 500 lekë me 5 mijë lekë, pensionistët shqiptar do ta blejnë me subvencion nga qeveria shqiptare. Njerëzit që marrin përkrahje sociale do ta blejnë me subvencion nga qeveria shqiptare, njerëzit me aftësi të kufizuara do ta blejnë me subvencion nga qeveria shqiptare, punonjës e administratës publike me paga nën 85 mijë lekë do ta blejnë me subvencion nga qeveria shqiptare.”

Pjesë e debeteve mes mazhorancës dhe opozitës në seancën plenare të së hënës ishte dhe projektligji për akcizat i cili u miratua pa vota të opozitës. Me shumicë votash parlamenti miratoi dhe anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në krye të të cilit u zgjodh Arben Ristani. Sakaq me 107 vota pro kuvendi kaloi dhe dekretin e presidentit Topi për Admir Thanzën në postin e anëtarit të gjykatës kushtetuese./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro

Operator: Klevis Çaka