Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Studentët do t’i nënshtrohen shërbimit ushtarak vetëm një muaj, kështu u vendos sot në seancë plenare, ku veç dekretit të Presidentit të Republikës Moisiu, për përfshirje të studentëve në shërbim ushtarak, votat e deputetëve ishin pro edhe propozimit të PD e PS, pra një muaj ushtri për studentët.

Spartak Poçi:- “Propozimi është në përshtatje me ligjin, me Kushtetutën dhe me shumicë votash bëri një korrigjim, që periudha tre mujore të bëhet një mujore”.

Fatos Beja:- “Një muaj është e mjaftueshme dhe ne respektojmë presidentin, respektojmë dhe interesat e studentëve”.

Ndërsa propozimi i mëparshëm për tre muaj shërbim ushtarak, u hodh poshtë në votimin e dytë. Në seancën e sotme pati dhe zëra kundër me pretendimin se një muaj ushtri është mospërfillës.

Dashamir Shehi:- “Po qe për një muaj pastaj, unë nuk e di se si e ka gjykuar komisioni i ligjeve, po kjo është pastaj, sa për të kapërcyer atë impasin që kishim me presidencën për kthim mbrapa, për ushtri kjo nuk vlen”.

Megjithatë, pas miratimit në komisionin e ligjeve i cili u mblodh po sot, dekreti i presidentit dhe propozimi i Topit e Ruçit, u miratua me 68 vota pro, e 24 kundër./tvklan.al