Partitë e vogla opozitare duken të frikësuara nga bashkëpunimi i Partisë Socialiste me demokratët për të kaluar ndryshimet kushtetuese për sistemin zgjedhor. Koshient se këto dy parti të cilave ju janë bashkangjitur dhe socialdemokratët e Gjinushit, i kanë votat e duhura për të miratuar sistemin e ri zgjedhor, atë proporcional rajonal, Paskal Milo ka luajtur sot gurin e fundit.
Kreu i Demokracisë Sociale i ka bërë thirrje Ramës, të heqë dorë nga bashkëpunimi me qeverinë aktuale dhe të mbledhë tryezën e partive të opozitës në mënyrë urgjente, për të dalë me një vendim të përbashkët për ligjin elektoral, i cili sipas tij duhet të jetë i ndryshëm nga propozimi aktual i socialistëve.
Paskal Milo: “I kërkojmë Partisë Socialiste, që të mos marrë mbi vete përgjegjësinë e bashkëpunimit me Partinë Demokratike, e vetme dhe pa aleatë e saj të natyrshëm, sepse është provuar se çdo bashkëpunim i tillë jo transparent me zotin Berisha është kthyer më vonë në bumerang kundër vetë Partisë Socialiste.”
Edhe pse skeptik se Partisë Socialiste mund të heqë dorë nga propozimi i saj, i cili dëmton të vegjlit kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta është shprehur i gatshëm t’i bashkëngjitet iniciativës së Milos.
Ilir Meta: “Ne nuk bojkotojmë. Çdo iniciativë që synon të shmangi shkatërrimin e zgjedhjeve që po përgatit të bëjë Rama me Berishën ne jemi të gatshëm, sepse këtu bëhet fjala me zgjedhjet e shqiptarëve, ndaj jemi shumë serioz në çështjen e zgjedhjeve, por njëkohësisht dhe nuk ushqejmë iluzione të kota.”
Nesër komisioni i ligjeve do të mblidhet për të marrë në shqyrtim propozimin e Partisë Socialiste për amendimin e sistemin zgjedhor, propozim i cili ka gjetur mbështetjen e demokratëve./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka