Vëllezërit Balla nuk kanë të ndalur. Pasi morën pjesë në talent show-n e njohur në të gjithë botën “America’s Got Talent”, Arnoldi dhe Artani e kanë sfiduar veten edhe në një vend tjetër, tashmë në Europë.
Dy akrobatët shqiptarë morën pjesë në “Got Talent: All-Stars” në Spanjë ku edhe njëherë mahnitën jurinë dhe publikun. Vetë vëllezërit pohuan para jurisë spanjolle se jeta e tyre ndryshoi pas pjesëmarrjes në “America’s Got Talent”.
“Jemi nga Shqipëria, por pasi morën pjesë në “AGT”, bëmë një audicion shumë të mirë dhe jeta jonë ndryshoi. U zhvendosëm në Shtetet e Bashkuara. Kështu që sonte vijmë nga New York-u”, tha Arnoldi.
(Performanca në Spanjë e vëllezërve Balla)
Vëllai tjetër Artani u shpreh se këtë kompeticion e sheh si një trampolinë për të ardhmen.
“Jam këtu sepse e shikoj “Got Talent: All Stars” si një trampolinë të madhe për të ardhmen time për të realizuar ëndrrën time që të hap “Got Talent Albania”, tha ai.
“Got Talent: All Stars” zhvillohet për herë të parë në Europë. Aty marrin pjesë finalistë, gjysmë finalistë apo edhe ata që mundën të merrnin një “Golden Buzzer” nga 70 vende të ndryshme të botës.
Ndërkohë kujtojmë që dy djemtë shqiptarë morën pjesë në “America’s Got Talent” vitin e kaluar. Në një performancë të jashtëzakonshme ata morën duartrokitjet e publikut të gjerë dhe tre “Po” nga një juri që përbëhej nga emra të njohur si Simon Cowell, Heidi Klum dhe Sofia Vergara./tvklan.al