Pas gati një muaji të aktivitetit elektoral të subjekteve politike të shtunën filloi heshtja zgjedhore një ditë para votimit të së dielës ku 1 milion e 563 mijë e 741 qytetarë të Republikës së Kosovës pritet të zgjedhin kryetarët dhe këshilltarët e asambleve në 36 komuna.
Sipas ligjit për zgjedhje subjekteve politike u ndalohet që këtë ditë t’u bëjnë thirrje qytetarëve të votojnë për to, ndërsa qe subjektet transmetuese udhëzohen të mos japin asnjë deklaratë edhe në raste kur ka ekspozim të kandidatëve, të cilët ftojnë që të votojnë, ndërsa thirrjet për të votuar nga KQZ-ja personalitetet e Kosovës apo ato ndërkombëtare lejojnë të transmetohen vetëm nëse nuk janë të lidhura në asnjë mënyrë me një kandidat ose entitet politik të certifikuar.
Dita e heshtjes pasohet me ditën e zgjedhjeve, e njohura si dita Z, me ç’rast do të hapen 746 qendra votimi me 2256 vendvotime në të gjithë vendin tonë.
Qytetarët do të kenë qasje në to nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 19:00 të mbrëmjes. 37 parti politike, 19 iniciativa qytetare, 16 kandidatë të pavarur dhe dy koalicione pas një angazhimi një mujor të dielën do të presin vendimin e sovranit.
Zgjedhjet lokale të 15 Nëntorit janë quajtur historike për faktin se janë të parat që organizohen pas pavarësisë së shpallur më 17 Shkurt. Ato vlerësohen si shumë të rëndësishme edhe për shkak të faktit se për herë të parë organizohen nga vetë kosovarët pa ndihmën e ndërkombëtarëve.
Barrën kryesore në lidhje me këtë e ka Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ky mekanizëm është shprehur se gjithçka është gati që qytetarët e Kosovës ta hedhin votën e tyre dhe që procesi të jetë normal./tvklan.al