Në Shqipëri duhet të ruhet qeverisja me formulën e koalicionit. Ky është qëndrimi zyrtar amerikan i bërë prezent për gazetarët nga Ministri i Jashtëm Paskal Milo, pas takimeve me Sekretaren e Shtetit Ollbrajt, Ambasadorin Hill dhe zyrtarë të tjerë të lartë të administratës amerikane. Asnjë individ politik nuk ka mbështetjen amerikane para kongresit, ka theksuar kryediplomati shqiptar Paskal Milo.
“Kemi takuar të gjithë hierarkinë e departamentit të shtetit, dhe përfaqësuesit e Shtëpisë së Bardhë të paktën ata që kam takuar unë, që të gjithë deklaratat e tyre në këtë drejtim i kanë patur të qarta. Ne nuk ndërhyjmë në çeshtjet e brendshme politike në Shqipëri. Ne nuk favorizojmë asnjë individ politik në Shqipëri. Nuk na takon ta bëjmë një gjë të tillë.Ajo është çeshtje e brendshme e dy partive politike. Këto deklarata kanë qënë siç ju thashë të qarta dhe nga të gjithë. Pra unë nuk shoh në qëndrimet e SHBA-së preferenca politike personale në prag të dy kongreseve. Ajo çka u deklarua është që të ruhet qeverisja me formulën e koalicionit në Shqipëri. Kjo u bë e qartë.”
Milo shpreson se Klinton do ta mbajë premtimin për ta vizituar Tiranën. Amerikanët janë të shqetësuar dhe nxisin luftën antikrim dhe antikorrupsion dhe projektet shqiptare në kuadër të Paktit të Stabilitetit. Përsa i përket Kosovës, Milo theksoi vlerësimin pozitiv amerikan për krijimin e Korpusit Mbrojtës, kërkesën shqiptare për pajisje me karta identiteti e udhëtimi për kosovarët si dhe rregullimin e çeshtjes së pronësisë në Kosovë.
Është pranuar ideja shqiptare për hapjen e zyrës së ndërlidhjes Shqipëri-Kosovë në Prishtinë. Ndërkohë me 25 Tetor në Helsinki gjatë dialogut do të arrihet nënshkrimi i marrëveshjes së Asocimit të Shqipërisë me Europën e Bashkuar./tvklan.al
Gazetar: Vladimir Lame