Andrea Marto do të jetë ministri i ri i Punës dhe Çështjeve Sociale. Pas një takimi me Kryetarin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, kryeministri Berisha, duket se ka pranuar propozimin e Dules për të ndryshuar përfaqësimin e PBDNJ-së në kabinetin qeveritar.
Vangjel Dule: “Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut do të ndryshojë përfaqësimin e vet në kabinetin aktual qeveritar, konkretisht zotin Kosta Barka, aktualisht ministër të Punës, Çështjeve Sociale dhe shanseve të barabarta do ta zëvendësoj në këtë detyrë si përfaqësuesi i PBDNJ-së në konformë marrëveshjes më PD për koalicionin qeverisës, Prof. Dr. Andrea Marto”.
Dule deklaron se largimi i Barkës dhe zëvendësimi i tij me Marton erdhi pas një debati të brendshëm disa mujor në parti. Ndërsa shton se ky ndryshim vjen për të përmirësuar përfaqësimin e tij në qeverisje por paradite ministri ende në detyrë i Punës dhe Çështjeve Sociale Kosta Barka, ka qenë i bindur se do të vazhdonte të drejtonte këtë ministri për të vazhduar reformat e nisura.
Kosta Barka: “Nuk e di çfarë do bëj zoti Dule. Unë di që jam ministër dhe jam ministër aktiv dhe i përgjegjshëm dhe e programoj punën time për të plotësuar të gjitha detyrimet e mia si ministër”.
Andrea Marto, për 4 vjet ka qenë zëvendës Ministri i Arsimit gjatë qeverisjes socialiste. Ndërsa muajt e fundit mbante pozicionin e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Punës nga ku u largua me firmën e Kosta Barkës, të cilit pasi të marrë miratimin e parlamentit do t’i zërë postin e ministrit./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka
Operator: Metlin Kepi