Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Diplomacia shqiptare duhet të ketë ende në krye të saj ish-zv/kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme Ilir Meta. Kjo është një kërkesë e Partisë Demokratike, e shpjeguar nga ana ligjore nga sekretari i selisë blu për çështjet juridike Ilir Rusmali.

PD kërkon nga kryeministri Fatos Nano, respektimin e nenit 106 të Kushtetutës, sipas së cilës ministri i larguar duhet të qëndrojë në krye të detyrës, deri në zëvendësimin e tij. Rusmali dënon kryeministrin Nano për veprimin e tij, i cili prezantoi jashtë kufijve të Shqipërisë Marko Bellon, si Ministër të Jashtëm, në një kohë kur Meta njihet akoma si i tillë.

Ilir Rusmali:- “Kushtetuta dhe ligji njohin Ilir Metën ministër, Fatos Nano për inatin e vetë njeh dikë tjetër. Funksionet e ministrit duhet të vazhdonte t’i ushtronte Ilir Meta në postin për të cilin ai është votëbesuar nga parlamenti. Nuk ka asnjë bazë kushtetuese, nuk ka asnjë justifikim ligjor, që ky fakt të mohohet dhe për shkak të konflikteve brenda partiake, të shkelet Kushtetuta, në ushtrimin e çdo njërës prej funksioneve që Kushtetuta njeh. Sidoqoftë, ne jemi shumë serioz, ne jemi për ndërprerjen e menjëhershme të shkeljes së Kushtetutës”./tvklan.al