Akuza Ramës, Ahmetajt dhe Veliajt për grup të strukturuar kriminal
Shkeljet për inceneratorin e Fierit qëndrojnë në mos hapjen e garës ndërkombëtare, në pagesën për ndërtimin dhe në mosfunksionimin e inceneratorit, thotë opozita, që ka bërë kallëzimin e tretë në SPAK. PD akuzon Kryeministrin Rama, Kryebashkiakun Veliaj dhe ish-kreun e Financave Ahmetajn, për grup të strukturuar kriminal.
“Do të duhej që për shkak të shumës prej 28 mln euro, do të duhej që së paku të botohej në një gazetë europiane, në mënyrë që të kishte garë. Asgjë e tillë nuk u bë sepse fituesi ishte i paracaktuar, ishte Klodian Zoto. Sapo u deklaruan fitues, atë ditë ka ndodhur një gjë e çuditshme. Firma italiane, ajo e cila u mor për eksperiencën, si kusht i domosdoshëm ligjor, shiti kuotat e veta, 20% e saj. Për sa e kanë shitur? Për 20 mijë lekë të reja. Shkelja e tretë: Sapo ka dalë fitues, pa hedhur një lopatë dhe siç thuhet në këto raste, ka marrë plot 5 milionë euro në xhepin e tij. Zero investim.”
Sipas demokratëve, pas kësaj skeme fshihen të njëjtët persona që kanë ndërtuar 3 inceneratorët në vend, duke i shkaktuar një dëm buxhetit të shtetit prej 500 milionë euro.
“Fieri, Elbasani dhe Tirana është trekëndëshi i Bermudeve ku parashikohet në totalin e tyre 500 milionë euro që do t’ju zhvaten shqiptarëve dhe do të shkojnë në xhepat e Klodian Zotos, Mirel Mërtirit e Arben Ahmetajt, Edi Ramës, Lefter Kokës, Alqi Bllakos, dhe që janë emra që ne i kemi kallëzuar sot”.
Sipas Partisë Demokratike, inceneratori i Fierit duhet të kishte nisur nga puna në vitin 2019, por diçka e tillë nuk ka ndodhur.
“Përveç gjithë këtyre shkeljeve, në vitin 2019 duhej të fillonte inceneratori nga puna. Jemi në vitin 2020 dhe akoma nuk ka filluar nga puna. Do të fillojë në dhjetor se ashtu kanë qenë disa probleme teknike”, por ato probleme teknike janë para, janë shpërdorim detyre, janë vjedhje, duhet të shkojë dikush në burg për ato. Nuk kemi të bëjmë me funksionim të shtetit por me kemi të bëjmë me vjedhje galoponte, prandaj edhe funksionojnë në mënyrë kaq efikase këta. Brenda ditës firmoset dhe mbyllet gjithçka”.
Më herët Partia Demokratike ka depozituar në SPAK, edhe dy inceneraratorët e tjerë, atë të Tiranës dhe Elbasanit, për të cilat opozita thotë se nuk janë vënë në punë, pavarësisht se janë paguar miliona euro nga buxheti i shtetit.
Tv Klan