Demokratët e reformuar janë rikthyer sërish pranë selisë blu, pas marrëveshjes së nënshkruar nga kryeministri Berisha dhe Genc Pollo. Marrëveshje kjo që zyrtarizoi dhe bashkimin e tyre të përfolur disa muaj më parë.
Për kreun e demokratëve shkrirja e dy formacioneve politike në një, synon për të kontribuar në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të 2009.
Sali Berisha: “Shkrirje, bashkim i këtyre dy forcave politike ka në bazë kontributet e rëndësishme dhe vizionin e përbashkët. Se si vit elektoral që është përbën kjo një prerogativë shumë të rëndësishme gjithashtu edhe për suksesin në zgjedhjet e ardhshme të koalicionit aktual qeverisës.”
Pollo në cilësinë tashmë të anëtarit më të ri të PD u shpreh se përgjigja pozitive e ftesës së liderit të selisë blu. Erdhi pas fazave të një bashkëpunimi të frytshëm që të dy partitë arritën para dhe pas zgjedhjeve të 2005 që sollën dhe fitoren e koalicionit të djathtë.
Genc Pollo: “Bashkëpunimi i filluar pas 2001, të bashkëpunimit elektoral të aleancës parazgjedhore në 2005, kanë dëshmuar një qëndrueshmëri shumë të fortë, kanë realizuar pikëpamje që gjithmonë kanë qenë të përbashkëta për partitë tona.”
Largimi i Genc Pollos nga PD e ka zanafillën në shtatorin e ’99, atëherë kur në selinë blu zhvilloheshin procedurat për përzgjedhjen e kryetarit të ri të ri të saj, ku ky i fundit garonte për të marrë drejtimin e partisë, asokohe më e madhja në opozitë.
Vetëm në 2001 Pollo do të arrinte të krijonte partinë e tij, të cilës iu bashkuan dhe shumë eksponentë të larguar nga partia mëmë. Bashkëpunimi i sapo nisur mes shefit të qeverisë dhe vartësit e tij do të konsiderohet i përfunduar në fillim të vitit të ardhshëm, pasi të shtrihet në të gjitha degët e vendit./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro