Dimitrov: Me rëndësi bashkëpunimi rajonal
Mini-shengeni është rruga drejt familjes evropiane, por nuk mund të jetë alternativë për BE-në, theksoi presidenti Stevo Pendarovski në konferencën ‘Sfidat për integrim rajonal në Bashkimin Evropian’.
“Bashkëpunim rajonal në interes kohor, mbështetja ime për shkëmbim të lirë dhe tregtar është e plotë. Mini-Shengeni nuk është zëvendësim për Bashkimin Evropian, është vetëm ndihmë që vendet e Ballkanit perëndimor të integrohen”, tha Pendarovski.
Përfaqësuesi i federalistëve evropianë Kristofer Gluk e theksoi rëndësinë për reformim të vazhdueshëm të vendit, ndërsa arsyen për mosmarrjen e datës në tetor e sheh në BE, jo në Maqedoninë e Veriut.
“Ne besojmë se ëndrra për BE-në asnjëherë nuk do të jetë e plotë pa integrimin e plotë të rajonit. Vendimi i Francës për prolongimin e vendimit për negociata aderuese nuk duhet t’ju dëshpërojë, sepse ky nuk ishte vendim për Maqedoninë e Veriut, por për Bashkimin Evropian”, tha Gluk.
Ndërtimi i marrëdhënieve të mira me fqinjët do të thotë ulje e rëndësisë së kufijve, por edhe përfitime të tjera për realizimin e qëllimit kryesor, theksoi shefi i diplomacisë Nikola Dimitrov.
“Nuk mund të themi se do të bashkëpunojmë me fqinjët tonë pas pranimit në BE, ne në vazhdimësi duhet të bashkëpunojmë dhe të jemi pjesë, për këtë arsye bashkëpunimi rajonal nuk është asgjë e re, por edhe BE-ja i sheh vendet kandidate në prizmin e marrëdhënieve rajonale me fqinjët”, tha Dimitrov.
Presidenti Pendarovski në fjalimin e tij në konferencë e theksoi edhe problemin me shpërnguljen masive të të rinjve nga vendi, ndërsa si arsye kryesore e veçoi korrupsionin dhe krimin e organizuar, të cilët siç tha nuk janë vetëm sfidë për prokurorinë dhe sistemin gjyqësor, por edhe kusht themelor për mbijetesën e rendit publik.
Tv Klan