Të rinjtë kanë një mundësi të re për të ngritur biznesin e tyre. Delina Ibrahimaj, ministrja e Sipërmarrjes dhe Klimës së Biznesit shpjegon në “Aldo Morning Show” në Tv Klan se tashmë mund të aplikohet për një grant nga shteti për të hapur një biznes.
Kushdo që ka një ide biznesi që në bazë ka inovacionin dhe jo vetëm atë teknologjik, mund të plotësojë aplikimin online për të ngritur një start-up. Aplikimet do të jenë të hapura deri në fund të marsit.
Delina Ibrahimaj: Aplikohet online, në e-Albania, aplikimet sapo janë hapur, ne vijmë në një fazë që jemi duke shpjeguar dokumentacionin që duhet të plotësojë biznesi për të aplikuar pasi ka disa rregullore, ka një formular, ka disa kritere përzgjedhjeje dhe jemi në këtë fazë. Jemi duke shpjeguar, ne kemi vendosur në faqen e internetit të Ministrit të Shtetit të Sipërmarrjes dhe të agjencisë Start Up Albania dokumentet e thirrjes, elementët e thirrjes dhe jemi duke bërë sesione trajnimi për bizneset, për të rinjtë që janë të interesuar të aplikojnë në këto fonde në mënyrë që aplikimi i tyre të jetë sa më i plotë dhe të jetë sa më i suksesshëm.
Aldo: Pra unë jam një djalë nga Rrësheni që kam një ëndërr të hap një kantinë vere. Nuk kam asnjë kokërr leku dhe s’kam haberin si bëhet kjo. E kam thjesht një ëndërr. Hap faqen e ministrisë, e gjej këtë aplikacionin, e plotësoj aplikacionin dhe çfarë ndodh?
Delina Ibrahimaj: Në rastin konkret djali nga Rrësheni që do të bëjë një kantinë vere, kantina e verës nuk është sipërmarrje inovative. Ne duam të financojmë sipërmarrje të cilat synojnë inovacionin, pra kanë një element inovativ, mund të jenë jo domosdoshmërisht të lidhura me teknologjinë por kanë një element inovativ, një shërbim i ri, një proces i ri që nuk është bërë asnjëherë tjetër ose të paktën nuk është bërë asnjëherë tjetër në Shqipëri i cili synon të përmirësojë dhe të rrisë eficencën, produktivitetin e një shërbimi X.
Aldo: Pra me ç’po kuptoj unë më të favorizuar, të favorizuar në thonjëza, janë të rinjtë dhe të rejat në këtë histori.
Delina Ibrahimaj: Më të favorizuar janë të rinjtë dhe të rejat.
Aldo: Diçka që ata e shohin në Youtube ose e shohin jashtë…
Delina Ibrahimaj: Mund ta aplikojnë në Shqipëri.
Veç kësaj, ministrja shpjegoi se Shtëpia e Biznesit e cila ndodhet në një prej kubave të Piramidës është e hapur për bizneset që mund të marrin asistencë për dhënien e dokumentacionit që i shërben për t’u regjistruar, për të marrë licenca, për të përfunduar ciklin zyrtar të regjistrimit të biznesit duke shkurtuar procedurat./tvklan.al