Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Arritjet e deritanishme në qeverisjen vendore, si dhe sulmet ndaj opozitës, janë dy pikat kryesore, ku do të përqendrohen socialistët para dhe gjatë fushatës së zgjedhjeve të ardhshme vendore. Këto kanë qenë edhe porositë që kryetari i PS Fatos Nano, u ka dhënë socialistëve të mbledhur në aktivin kombëtar të qeverisjes vendore. Pasi ka sulmuar liderin e opozitës Berisha, të cilit i ka atribuuar pjesën më të madhe të suksesit politik të PS dhe qenies së saj në pushtet për një kohë të gjatë, kryetari i PS Nano dhe drejtues të tjerë kanë vlerësuar punën e bërë nga kryebashkiaku Edi Rama, megjithëse një muaj më parë ata votuan për ngritjen e komisionit parlamentar, që do të hetojë mbi punën e tij.

Ndërkohë komisioni hetimor anti-Rama arriti të miratojë planin paraprak të hetimit dhe ekspertët. Gjatë javës, komisionerët socialistë dhe ata të opozitës, kanë qenë në bashkinë e Tiranës dhe Ministrinë e Kulturës, ku secila nga palët ka kërkuar dokumente për kohën e qeverisjes nga kundërshtarët e tyre politikë. Por zyrtarët e bashkisë së kryeqytetit kanë deklaruar se fotokopjet e dokumenteve do të jepen vetëm kundrejt pagesës, që sipas llogaritjeve është një shumë rreth 15 milion lekësh.

Parlamenti ka njohur disa zhvillime gjatë javës së kaluar, kur vendosi të hënën të shtyjë edhe një javë tjetër, afatin e komisionit dypalësh për reformën zgjedhore. Por suksesi i punës 6 mujore të tij ende nuk është i sigurt. Ndërkohë parlamenti vendosi të thërrasë më 14 Prill, kryeministrin Fatos Nano, në një mocion debati për raportin vjetor të BE, por socialistët deklaruan se do të votojnë në bllok kundër propozimit të opozitës. Pas debateve të forta, parlamenti miratoi dhe marrëveshjen për përdorimin e bazës detare nga Greqia. Opozita votoi kundër këtij dokumenti dhe me gjithë këmbënguljen e Ministrit të Mbrojtjes Pandeli Majko, kritika të forta ka pasur dhe mes deputetëve socialistë. Gjatë diskutimit të marrëveshjes është kthyer edhe njëherë në rendin e ditës ekzistenca e ligjit të luftës, që Greqia mban prej vitit 1940 me Shqipërinë. Por deputete e opozitës deklaruan se do të dorëzojnë të hënën një rezolutë, nëpërmjet së cilës, parlamenti shqiptar t’i kërkojë parlamentit grek, abrogimin e ligjit të luftës.

Ish-shefi i SHISH Fatos Klosi ka filluar ngjitjen e shpejtë në strukturat e larta të PS. I anëtarësuar në forcën më të madhe qeverisëse, pak kohë pasi kryeministri Nano e paditi në prokurori për abuzime financiare, Klosi është zgjedhur anëtar i këshillit drejtues për Tiranën.

Presidenti shqiptar Alfred Moisiu, ka marrë të gjitha garancitë, nga autoritetet më të larta italiane, për mbështetjen që shteti fqinj Italia, do t’i jap Shqipërisë në rrugën e integrimit. Pas kthimit nga një vizitë treditore në Romë, presidenti Moisiu deklaroi, se me gjithë problemet që ka Shqipëria, Italia nuk do të kushtëzojë ndihmën politike dhe ekonomike ndaj Shqipërisë.

Krerët më të lartë të shtetit dhe ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s, përkujtuan në Tiranë me një minutë heshtje, ushtarët e trupave aleatë të NATOS të vrarë në në Irak. Të mbledhur për të përkujtuar 54 vjetorin e themelimit të NATO-s, përfaqësuesit e diplomacisë perëndimore, kanë deklaruar se mbështesin pa rezerva anëtarësimin e Shqipërisë në NATO./tvklan.al