Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Forcimi i miqësisë dhe i marrëdhënieve dypalëshe do t’i shërbejë forcimit të stabilitetit në rajon. Me këtë frymë është zhvilluar takimi mes presidentit shqiptar Moisiu dhe homologut të tij malazez Vujanoviç. Të dy presidentët kanë ndarë ide të përbashkëta mbi të ardhmen e Kosovës, Maqedonisë dhe të Unionit Serbi-Mal i Zi.
Filip Vujanoviç: “Mali i Zi në kuadrin e marrëdhënieve të tij me Serbinë, nuk i ka kushtet që as të ndërmjetësojë dhe as të propozojë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, por të tregojë atë që largimi apo shtyrja e zgjidhjes nuk i sjell të mira askujt dhe se dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës me pjesëmarrje të fortë të bashkisë ndërkombëtare, duhet të jetë sa më intensiv dhe sa më cilësor, në mënyrë që çështjet e standardit dhe statusit të Kosovës, të zgjidhen sa më shpejt.”
Alfred Moisiu: “Shkëmbyem pikëpamje mbi situatën në rajon, në Kosovë, Maqedoni dhe mendojmë që zgjidhja e problemit të Kosovës duhet bërë sa më parë. Njëkohësisht vlerësojmë që në Maqedoni problemet të shkojnë në përputhje me marrëveshjen e Ohrit.”
Më pas presidenti malazez është takuar me kreun e Kuvendit Servet Pëllumbin dhe kryeministrin shqiptar Fatos Nano./tvklan.al
Gazetare: Mimoza Koçiu