Përplasja diplomatike mes Presidentit francez dhe atij brazilian po thellohet akoma më shumë. Emmanuel Macron i konsideroi “tepër të vrazhda” deklaratat që bëri Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, për bashkëshorten e Presidentit francez.
“Ka bërë disa deklarata tepër të vrazhda për bashkëshorten time. Është e trishtë. Në radhë të parë për atë dhe për brazilianët. Unë mendoj se grave braziliane do t’u vijë turp të lexojnë atë që ka thënë presidenti i tyre. Unë mendoj se brazilianët, të cilët janë një popull i shkëlqyer, me siguri do të ndihen të turpëruar nga kjo sjellje. Sikurse ndjej respekt dhe miqësi për popullin brazilian, shpresoj që shumë shpejt të kenë një President me sjellje të duhur”, tha Macron në një konferencë për shtyp në samitin e G7 pasi u pyet nga gazetarët.
Gjatë fundjavës, Presidenti brazilian shprehu dukshëm mendimin e tij në Facebook, duke nënkuptuar se Zonja e Parë e Francës Brigitte Macron nuk është aq e bukur sa bashkëshortja e tij, Michelle Bolsonaro.
Një simpatizant i Presidentit brazilian shkruajti në Facebook: “Tani e kuptoni përse Macron po përndjek Bolsonaron”? Këtë postim e shoqëroi me një fotografi të Brigitte Macron 65 vjeç, e cila është 28 vjet më e madhe se bashkëshortja e Presidentit të Brazilit. Kurse, ky i fundit u përgjigj: “Mos e poshtëro atë djalë”.
Përplasja diplomatike mes Francës dhe Brazilit, që konsiderohet si më e rënda në 40 vjet mes këtyre dy shteteve, i ka rrënjët tek zjarret në Amazonë. I pari ishte Presidenti francez që reagoi duke thënë se “shtëpia jonë po digjet“, dhe fajësoi Bolsonaron për menaxhimin e situatës. Nga ana tjetër, Bolsonaro e sulmoi publiksht Presidentit Macron duke e konsideruar me “mentalitet kolonialist“. /tvklan.al