Granit Gjana, Prefekt i Kukësit është pezulluar nga detyra. Shkak është bërë një hetim ndaj tij për “shkelje të barazisë në tendera”.

“Në vijim të hetimeve, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 133, datë 01.12.2023 ka vendosur: Caktimin e masës së sigurimit personal ndalues të “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, në ngarkim të personin nën hetim Granit Gjana, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258/2 i K.Penal, duke u ndaluar plotësisht i hetuari Granit Gjana, në ushtrimin e detyrës pranë Prefekturës Kukës”, shprehet SPAK.

Gazetari Besar Bajraktaraj raporton se për shkak të hetimit dhe komunikimit të akuzës nga SPAK, Gjana, ka dhënë dorëheqjen pranë ministrit të Brendshëm, Taulant Balla ditën e djeshme.


Hetimi për të ka nisur kur ka qenë zv/kryetar i Bashkisë së Kukësit. SPAK thotë se nga provat e grumbulluara është krijuar dyshimi i arsyeshëm se Gjana në cilësinë e zv/kryetarit të bashkisë, por me kompetencat e deleguara si titullar i Autoritetit Kontraktor Bashkia Kukës, ka konsumuar elementë të veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

“Ky shtetas me mosveprimet e tij, e konkretisht mospaisjen në kohën e duhur me Autorizimin për tregtimin e lëndëve djegëse, edhe pse subjekti “U. C” shpk, i kishte kryer pagesat e nevojshme dhe dorëzuar dokumentacionin pranë organit shtetëror sipas ligjit, e ka penguar OE-në të kualifikohet në dy procedurat e tenderit me objekt “Blerje karburanti”, në vlerën 21.000.0000 lekë, të organizuara nga Autoriteti Kontraktor Bashkia Kukës përgjatë vitit 2023. Për pasojë shtetasi nën hetim G. Gj. ka dëmtuar interesat e ligjshëm të personit juridik “U. C.” Sh.p.k, duke e penguar këtë subjekt për t’u kualifikuar në procedurën e prokurimit të mësipërm”, njoftoi SPAK.

Granit Gjana u emërua Prefekt i Kukësit pasi nga kjo detyrë u lirua Albert Halilaj. Halilaj u zgjodh më pas kryetar i Bashkisë së Kukësit pas zgjedhjeve që u përsëritën si pasojë e një videoskandali të ish-kryebashkiakut Safet Gjici./tvklan.al