Guido Andrea Guidi, piloti italian 69 – vjeç që drejtonte avionin e rrëzuar ditën e sotme në grykëderdhjen e lumit Ishëm, nuk është emër i panjohur për drejtësinë italiane.

Në këtë dokument zyrtar të Gjykatës së Lartë të Kasacionit, të 23 Tetorit 2013, Guidi rezulton person me precendentë të mëparshëm penalë.

Piloti 69 – vjeçar, së bashku me një tjetër person, Rubino Edoardo, sipas këtij dokumenti, dolën para gjykatës pasi akuzoheshin për tentativë korrupsioni. Ata dyshohet se tentuan që në këmbim të parave të korruptonin një këshilltar teknik të Prokurorisë, për të siguruar një dokument fals.

Piloti Guidi

Rasti në fjalë lidhej me një aksident ajror të ndodhur në aeroportin Linate të Milanos, më 1 Qershor të 2003 – it, ku një avion i kompanisë “Eurojet” u përplas me një depo industriale, duke shkaktuar vdekjen e pilotit dhe të bashkëpilotit.

Pikërisht për këtë çështje, Prokuroria kishte caktuar një konsulent teknik. Një koleg i pilotit Guidi, Corrado S, punësuar pranë kontrollit operativ të “Eurojet”, e takoi konsulentin dhe i premtoi një shumë të madhe parash në shkëmbim të hartimit të një raporti në favor të kompanisë ajrore.

Hetimet nxorrën se në këtë aferë ishte përfshirë 4 persona, mes tyre edhe Guido Andrea Guidi dhe Rubino Edoardo.

Guido Andrea Guidi dhe 3 të tjerët u dënuan me 1 vit e 8 muaj burg. Dënimi u bë me të njëjtin ligj të përdorur për rastet e hetimeve të disa grupeve mafioze.

Gjykata e Lartë e rishqyrtoi çështjen dhe e çoi në Apelin e Gjykatës së Romës në vitin 2014.

Ndërkohë, burime për Tv Klan bëjnë të ditur se Prokuroria për Krimet e Rënda pritet që ta marrë në pyetje Guidin pas dyshimeve për trafik droge. /tvklan.al

https://www.youtube.com//embed/ARL9tEfTSZk