Fotoja e mëposhtme ishte e vetmja e dhënë për grabitësin e një dyqani në rrugën “Myslim Shyri” në Tiranë, ndodhur më 9 Shkurt.

Pas rreth dy muajsh, Policia ka bërë të mundur identifikimin e personit të maskuar, përmes pamjeve filmike. Bëhet fjalë për 43 vjeçarin Afrim Dulaj (Farruku) i cili është vënë në pranga nga blutë. Ai dyshohet si autor edhe i një vjedhjeje të kryer te një argjendari në Rrugën e Dibrës, pak ditë më parë.

Në video, ai shihet duke kërcënuar me një armë pistoletë punonjësin e dyqanit e më pas duke marrë disa aparate celularë. Ndërsa grabitja tjetër në argjendari ngjan si skenë filmash. Kamerat kanë kapur një sharrë dhe një shkop që kap disa bizhuteri.


Njoftimi i plotë i Policisë:

Zbardhen dhe dokumentohen me prova ligjore, vjedhja në kërcënimin e armës, në një dyqan celularësh, e ndodhur në muajin shkurt, si dhe vjedhja në një argjendari në Rrugën e Dibrës. Vihet në pranga një 43-vjeçar, si autor i dyshuar. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës intensive për zbardhjen e dy vjedhjeve të ndodhura në zonat respektive, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Golden hummer”, për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore, të autorit të dyshuar. Si rezultat i këtij operacioni u ndalua shtetasi A. D. (F)., 43 vjeç, banues në Tiranë. Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se ky shtetas, më datë 09.02.2024, dyshohet se në kërcënimin e një arme zjarri pistoletë, ka vjedhur disa aparate celulare, në një dyqan në rrugën “Myslym Shyri”, dhe më datë 14.03.2024, ka vjedhur disa aksesorë floriri në argjendarinë e shtetasit E. K., në Rrugën e Dibrës.


/tvklan.al