Ndonëse është premtuar për plazhe më të pastra këtë sezon turistik, plazhi i Durrësit pikërisht në pikun e tij ka filluar të ndotet masivisht.

Në një kohë që kjo vije bregdetare frekuentohet çdo ditë nga të paktën 10 mijë pushues, ndotja e ujërave është rritur ndjeshëm. Shkak për këtë është bërë mungesa e banjove si dhe e dusheve publike

Plazhi i madh nga 11 banjo publike që ka pasur, sot nuk ka as edhe një, duke rrezikuar përhapjen e ndonjë epidemie.

“Të gjithë janë të pa pastër, po nuk ke ku të bësh një dush këtu. Uji shumë është i pa pastër”.

Gazetarja: Ndërkohë që për banjot si e zgjidhni problemin?

“Banjon në ujë, s’ke ku”.

“Është shumë katastrofë, do shkoj në shpi të pastrohem, të bëj dush e pastaj të vij në plazh”.

“Për fat e kam banesën afër dhe shkoj për çdo rast, në banesë e kry obligimin..”.

“Mungojnë shumë, nuk ka, fare hiç. Problemet i zgjidhim në banesë duhet të shkojmë”.

“Pa banjo publike dhe pa këto dushe publike nuk ja vlen ndoshta dhe për me ardh”.

E gjithë kjo situatë kërkon një ndërgjegjësim nga ana e pushtetit vendor, i cili mbledh edhe pjesën më të madhe të të ardhurave nga turizmi, ndërkohë që uji i ndotur shkakton sëmundje të lëkurës, alergji të ndryshme, shqetësime gastro-intestinale si dhe helmime./tvklan.al