Trump: Britania mbahet peng nga BE
Zgjedhjen e Boris Johnson-it kryeministër, Donald Trump e shihte me shpresë të madhe për afrimin e Londrës me Uashingtonin pas shkëputjes nga Bashkimi Europian. Por duket se kjo shpresë, kreut të Shtëpisë së Bardhë po i venitet.
Në një bisedë telefonike me kreun e partisë së Brexit, Nigel Farage në show-n e këtij të fundit në Youtube, presidenti amerikan u shpreh se marrëveshja e re që shefi i qeverisë britanike arriti me Brukselin e mban Britaninë e Madhe peng të Bashkimit Europian.
“Tregtia juaj me ne mund të jetë 4 deri 5 herë më e lartë se aktualisht. Kjo do ta bëjë vendin tuaj më të madh ekonomikisht. Por ju po mbaheni peng nga Bashkimi Europian”, u shpreh Donald Trump.
Deklaratave të Trump, të bëra ditën kur Britania duhej të përfundonte procesin e Brexit-it, iu përgjigj zëdhënësi i qeverisë britanike Robert Jenrick.
Ai tha se marrëveshja e re është shumë e mirë dhe i krijon mundësi Londrës të arrijë marrëveshje tregtare me këdo. Ndërsa kryelaburisti Jeremy Corbyn akuzoi Trump-in se po ndërhyn në çështjet e brendshme të Britanisë, me deklarata që ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme më 12 Dhjetor.
Tv Klan