Drejtori i Policisë së Shtetit Ilir Proda gjatë diskutimit për buxhetin e vitit të ardhshëm kërkoi fonde shtesë sa i takon institucionit që ai drejton. Sipas Prodës një prej problematikave është kosto e lartë e automjeteve që janë marrë me qira, ndaj nevojiten rreth 700 automjete për ti blerë.

“Me rëndësi shumë të madhe do të ishte dhe financimi i flotës së mjeteve sepse ne aktualisht përdorim me qira, të cilat kanë një kosto shumë të madhe dhe do të ishte me rentabël që këto mjete të ishin në pronësi të Policisë së Shtetit. Aktualisht, 50% e flotës është e amortizuar. Kemi nevojë për 700 mjete që mendojmë se i plotësojnë nevojat tona dhe do të ishte e udhës të shikoj mundësia për ta financuar.”

Një tjetër problematika që sipas Prodës kërkon zgjidhje është rritja e nivelit të punonjësve të policisë kriminale.

“Me rritjen e nivelit të oficerëve padyshim do të ketë edhe kërkesë për rritje të fondit. Flasim për mungesë të theksuar të aftësive profesionale të oficerëve që punojnë në polici kriminale. Nuk mund të vij si struci e të fshihem dhe ta them këtu që situata është rozë. Situata është problematike.”

Kryepolici u pyet edhe për masakrën e Shkodrës, për të cilën tha se shumë shpejt priten rezultate konkrete nga grupi hetimor.

“Ka një shqetësim, sidomos për ngjarjen e fundit. Unë me garanci po iu them se shumë shpejt për atë ngjarje do të kemi rezultate konkrete.”

Nga ana e Drejtorisë së Policisë kërkohet rritje e buxhetit me 22% krahasuar me 2024, rreth 25 miliardë lekë.

Klan News