Drejtoria e Policisë së Tiranës, ka bërë kallëzim penal ndaj 4 ish të përndjekurve politik të cilët morën pjesë në protestën ku u shënuan akte të dhunshme para kuvendit të Shqipërisë.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Rendit, Adem Hallçi, Afrim Hançi, Kurt Kola dhe Fatmir Hoxha kanë shkelur ligjin për tubimet, duke shkelur kushtet e parashtruara në kërkesën për dhënien e lejes.
Kjo përbën kundravajtje penale dhe parashikohet nga neni 223 i kodit penal, sipas të cilit thirrja për akte të dhunshme ndaj rendit kushtetues ndëshkohet me gjobë deri në 3 vjet burg.
Ndërkohë në një konferencë shtypi ish të përndjekurit ndaj të cilëve është bërë ky kallëzim penale, thanë se ditën e hënë në orën 18:00 do të jenë sërish para kuvendit të Shqipërisë.
“Plani jonë është ky, janë të njoftuar të gjithë rrethet e mbarë Shqipërisë, të gjithë të burgosurit dhe të përndjekurit politik, në parlamentin shqiptar, të mos bëjë vaki, të mos mendojë asnjëri që mos të futet projektligji i dëmshpërblimit tonë në parlament”.
“Do të protestojmë jo vetëm të hënë, por sa herë që këta do e shtyjnë projektligjin tonë. Jemi të vendosur në kërkesën tona sepse i shikojmë që janë brenda kushtetutës dhe ligjeve shqiptare”.
“Në lidhje me dëmshpërblimin që është i sanksionuar në kushtetutë dhe në kodin penal por që nuk duan të zbatojnë ligjet e tyre, për këtë jemi konsekuent deri në fund, të kalojë në parlament projektligji, ose ndryshe në qoftë se s’janë të aftë të zbatojnë ligjin e tyre të japin dorëheqjen”./tvklan.al