Në pranga dhe administratori i Kallmetit

Policia arrestoi administratorin e Njësisë Kallmet të Lezhës, Besnik Simonin dhe Altin Markun të cilët mesditën e së premtes u përfshinë në një përplasje me armë, ku dhe për pasojë mbetën të plagosur. Masa e arrestit iu komunikua në ambientet e spitalit të Traumës ku ata po marrin ndihmë mjekësore.

Policia në një njoftim të dytë zbardhi detaje nga ngjarje e djeshme e ndodhur në Kallmet të Lezhës ku dy shtetasit e lartpërmendur fillimisht kanë pasur një konflikt verbal dhe më pas kanë qëlluar me armë zjarri pistoleta, në drejtim të njëri-tjetrit.

Fillimisht në vendin e ngjarjes u gjet i plagosur administratori, Besnik Simoni, i cili u transportua në Spitalin e Traumës  në Tiranës, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Më pas policia arriti të gjejë edhe Altin Markun, i cili po ashtu kishte marre plage nga përdorimi i armëve dhe u dërgua po ashtu në spital.

Kjo bëri që policia të arrijë në përfundimin se të dy shtetasit e përfshirë në këtë konflikt kanë përdorur armët. Policia sekuestroi vetëm armën e Markut, që u arrestua vetëm pas disa orë kërkimi, ndërsa mbetet enigmë se ku ka përfunduar arma e zyrtarit Simonit.

Që të dy akuzohen si të dyshuar për veprat penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.

Tv Klan