Edhe këtë 25 Dhjetor, krerët më të lartë të shtetit u kujdesën përmes kartolinave e fotove familjare të përcillnin mesazhet e urimit për besimtarët e krishterë.

Kryeministri Rama zgjodhi një ikonë të saporestauruar që vjen si dëshmi arti dhe besimi që prej shekullit XVII e më pas publikoi foton e bebes së parë, atë të një djali të shëndetshëm të sapoardhur në jetë ditën e Krishtlindjes në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”.

Presidenti Bajram Begaj, urimet e tij Ia përcolli nga afër Imzot Arjan Dodajt, Arqipeshkv i Kryedioqezës së Tiranë-Durrësit nga katedralja e Shën Palit.

“Në një botë plot sfida, Krishtlindja është një thirrje për të rindërtuar urat e mirëkuptimit dhe për të përforcuar frymën e bashkimit midis nesh.”

Duke ruajtur traditën e urimit, Sali Berisha, mesazhin e tij e dha nga Katadralja e “Shën Palit”.

“Kjo është një ditë e shenjtë për çdo besimtar. Dita në të cilën lindi hyji, burri që me jetën dhe mendimet e tij bëri më shumë se kushdo tjetër për moralin e qytetërimit perëndimor. Uroj që magjia e kësaj dite të shndërrohet në frymëzim, në forcë dhe mirësi për të gjithë besimtarët e Zotit.”

Zëvendëskryeministrja Balluku mesazhin për besimtarët e krishterë e dha nga Fieri. Urime për besimtarët e krishterë bëri edhe Kryetarja e Kuvendit teksa mori pjesë në kremtimet e në katedralen katolike dhe atë ortodokse.

“Të udhëhiqemi nga dashuria, respekti e mirëkuptimi, të braktisim gjuhën e urrejtjes, të përçarjes dhe konfliktit. Dashuria është vlera më e lartë njerëzore dhe ajo duhet të pershkojë jetët tona.”

Mesazhe urimi për besimtarët e krishterë përcolli edhe Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.

Tv Klan