Posta Shqiptare ka reaguar në një konference për mediat lidhur me mosshpërndarjen e faturave të telefonisë fikse pranë qendrave të banimit apo institucioneve ku ndodhen klientët e Albtelekomit.
Mungesa prej mese 5 muajsh e këtij shërbimi është komentuar nga numri një i këtij dikasteri Arqile Gorea, me argumentin se ka pasur një prishje të njëanshme të kontratës nga ana e Albtelekomit dhe se problemi i krijuar nuk është nën përgjegjësinë e Postës shqiptare.
Sipas zotit Gorea situata çorientuese e krijuar muajt e fundit nuk është diktuar nga institucioni i drejtuar prej tij, por ai shkoi më tej kur tha se në komunikimin zyrtar të datës 1 Prill të vitit 2009 Albtelekomi sqaron se për t’u gjetur sa më pranë pajtimtarëve do të bënte të mundur dërgimin e faturave telefonike me resurset e veta.
Arqile Gorea: “Posta Shqiptare, në vijim të strategjisë së saj që ka në shërbim të klientit nuk ka lidhje me zhurmën që bëhet në shtyp për mungesën e shërbimit të dërgimit të faturave telefonike në banesat e klientëve. Ne jemi të gatshëm të punojmë për t’i shërbyer klientëve tanë. Albtelekomi në mënyrë të njëanshme ka prish kontratën me Postën Shqiptare”.
Ndërkaq në një deklaratë për mediat ALBtelecomi shprehet se si pasoje e mos shpërndarjes së rregullt dhe në mënyrë të përsëritur të faturave për abonentët e tij nga posta shqiptare, ka qenë e detyruar të ndërmarre shpërndarjen e faturave vetë duke vendosur në plan të parë interesin e klientëve.
Sipas Albtelekomit zbatimi i këtij projekti është në fazën e pare dhe për pasojë mund të sjellë dhe vështirësi në shpërndarjen e plotë të faturave për të gjithë abonentët.
Më tej Albtelekomi sqaron klientët e tij se në të ardhmen shpërndarja e faturave do të realizohet në masën 100% dhe në kohe reale, por Albtelekomi u kujton klientëve të tij se shërbimi i faturës mund të bëhet edhe përmes postes elektronike./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro