Procesi i shpërndarjes së kuponëve në të gjitha zyrat e postës shqiptare është duke ecur normalisht në të gjithë vendin, kështu ka deklaruar Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, Arqile Gorea, duke përgënjeshtruar kështu të gjitha deklaratat e opozitës në lidhje me një dështim të mundshëm të këtij procesi.
Arqile Gorea: “Unë i bëj thirrje politikës të largohet nga sportelet e postës shqiptare. Në qoftë se ka mundësi të ndihmojë dhe t’i sqarojë këto njerëz si të pajisen me kartë identiteti dhe të mos ngrenë tenda elektorale pranë zyrave të postës shqiptare. Sepse kjo nuk i shërben procesit. Procesi është një proces që po ecën normalisht. Ne po funksionojmë nga e hëna në të diel, nga ora 8 e mëngjesit deri në 8 të darkës”.
Për të mbikëqyrur procesin pranë postës është ngritur dhe një zyrë monitorimi e cila merret me kontrollin e të gjithë filialeve të postës që janë duke punuar për shpërndarjen e kuponave.
Elena Andoni: “Për të monitoruar procesin e shitjes së kuponave për pajisjen e shtetasve me karta identiteti dhe pasaporta biometrike, posta shqiptare ka ngritur një grup monitorimi dhe zyrëne informacionit ku merren informacione në mënyrë periodike disa herë në dit në lidhje me mbarëvajtjen e procesit, me shqetësimet, problemet. Ky grup përveç se merr informacion, trajton dhe gjithë problematikat dhe ju jep rrugën e zgjidhjes gjithë paqartësive që kanë shtetasit që duan të pajisen me karta”.
Sipas Goresë deri tani vetëm në zyrat e postës shqiptare janë shitur afro 870 mijë kuponë për letërnjoftimet, ndërsa brenda 11 ditëve në sportelet e postës janë rimbusuar rreth 30% e pensionistëve që përfitojnë nga skema e kompensimit./tvklan.al
Gazetari: Eno Luarasi