Izmir Smajlaj përmirësoi pak ditë më parë rekordin kombëtar në kërcim së gjati, që tani është 8 metra e 11 centimetra. Kampioni i Europës në salla të mbyllura në vitin 2017, po i kthehet rezultateve të mira, por vetë Smajlaj shikon më larg.
“Unë nuk bëra asnjë faull dhe të gjitha kërcimet ishin mbi 8 metra. Në këtë formë që jam sivjet do të arrij nivelet e 8.30”.
Për të arritur majat, Izmiri stërvitet gjatë të gjithë vitit. Trajneri i tij rrëfen vështirësitë.
“Është një atlet i një niveli shumë të lartë, duhet të plotësojë nga 850 deri në 1200 orë punë”.
Izmir Smajlaj duhet të sigurojë normën e kualifikimit në Botëror dhe Olimpiadë në garat e ardhshme ku 26-vjeçari pret edhe medalje.
“Kampionati Europian është vitin tjetër, por unë shpresoj zonën e medaljeve në Botëror”.
Për trajnerin e tij Gjergj Ruli, nuk është utopi ky synim.
“Aktualisht me rezultatin në Shkodër është i treti në Europë dhe i teti në Botë. Në kampionatin Botëror të Doha do të ishte një dështim, nëse nuk do të shkonte në finale”.
Kampionati Botëror i Atletikës do të zhvillohet nga 28 Shtatori deri më 6 Tetor.
Tv Klan