Institucionet duhet të bashkëpunojnë me Këshillin e Lartë të Drejtësisë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Ky është apeli i lëshuar nga presidenti Bamir Topi, njëherësh dhe kreu i KLD-së, në mbledhjen e radhës që u mbajt në qytetin e Peshkopisë.

Bamir Topi: “Ne kemi nevojë të gjithë së bashku të ndërtojmë institucione të forta, institucione ku shkëmbejmë thjesht përvojat, por që janë institucione që do i shërbejnë perspektivës së një shteti të fortë shqiptar, i cili do të jetë nesër anëtar me të drejta të plota të NATO-s dhe anëtar i familjes së madhe evropiane.”

Ai bëri sot publik nisjen e një nisme të re për shtrirjen hapësinore të veprimtarisë së KLD-së në qytetet kryesore të vendit duke vënë në dukje sfidat me të cilat përballet sot Shqipëria, por dhe ky institucion, qëllimi i të cilit mbetet përballja me korrupsionin dhe krimin.

Kreu i shtetit dha një mesazh të qartë veçanërisht për sistemin e drejtësisë.

Bamir Topi: “E rëndësishme është që të forcojmë bashkëpunimin dhe secili nga ju që ka një personalitet të vlerësuar duhet ta forcojë personalitetin e tij për të qenë më autonom dhe autonomia fillon në momentin kur njeriu e ndjen veten të ndershëm sepse nuk është objekt i intimidimit dhe e dyta kur e ndjen veten profesionist”.

Në mbledhjen e sotme KLD i ka hequr imunitetin duke e pezulluar nga detyra gjyqtarin Vesel Bako, i cili rezulton të jetë filmuar duke marrë ryshfet.

Po për abuzim me detyrën është shkarkuar dhe gjyqtarja e Vlorës, Mirela Mishgjoni. Ndalesa e radhës për Këshillin e Lartë të Drejtësisë do të jetë pikërisht qyteti i Vlorës./tvklan.al