Bamir Topi mbush një vit në krye të shtetit. Njeriu me një staturë të fortë të fortë politike për shkak të pozicionimit të tij si kryetar i grupit Kuvendor të PD, nga ai moment duhet të tregonte se kishte zgjedhur të ishte mbi palët. Një detyrë që opozita pavarësisht kontestimit të fortë fillimisht mbi mënyrën e zgjedhjes së se tij si president, vendosi t’ia lehtësojë, duke deklaruar se Topi gjithsesi meritonte të provohej.

Analisti Fatos Lubonja sheh një përpjekje të vazhdueshme, megjithatë të cunguar të Bamir Topit për të garantuar  pavarësinë e institucionit.

Fatos Lubonja: “Është në vazhdën e traditës së presidentëve tanë, të cilët në përgjithësi kanë qenë të dobët jo të fortë, të kontrolluar nga mazhorancat që kanë qenë në pushtet, ose nën presionin e mazhorancave që kanë qenë në pushtet. Por me një prirje herë më të fortë dhe herë më të zbutur për t’u çliruar nga ky kontroll dhe për të krijuar një lloj pavarësie.”

Shkëputja nga  ndikimi politik për analistin Andi Bushati është ndjerë më shumë në fund të këtij viti të parë të mandatit 5-vjeçar.

Andi Bushati: “Për vetë mënyrën e dyshimtë se si u zgjodh në presidencë me disa vota të dyshimta të huazuara. Për vetë mënyrën se si shkarkoi prokurorin Sollaku pa pritur kur e dekretoi pa pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Për vetë mënyrën se si u bë njësh me mazhorancën në rastin e tragjedisë së Gërdecit. Duhet thëne se pjesa e parë e mandatit të zotit Topi është vetëm kalimi nga selia e PD në presidencë. Aty nga pranvera fillojmë dhe kemi një tjetërsim të zotit Topi.”

Lubonja lexon disa faktorë që kanë ndikuar në pavarësinë e cunguar që i ka garantuar institucioni që drejton Bamir Topi.

Fatos Lubonja: “Padyshim kondicionin fakti se kush e ka zgjedhur sepse ai që e ka zgjedhur në njëfarë mënyre ushtron të drejtat e tij. Besoj se ndikon edhe fakti që kjo lloj pavarësie nuk vjen vetëm nga një institucion i vetëm. Ajo duhet të jetë si rezultat i zhvillimit të të gjithë demokracisë në një vend.”

Në një vit në krye të shtetit Bamir Topi do të shënonte dy përplasje të forta institucionale me kryeministrin Berisha dhe kryeparlamentaren Topalli. Lidhur me ndryshimet kushtetuese si dhe dekretet për anëtarë të Gjykatës së Lartë.  

Andi Bushati: “Roli i presidentit në këto dy përplasje të mëdha ka qenë roli i një njeriu që po tregon  se po tenton të shkëputet nga PD. Por në një vit mandat të zotit Topi është shpejt të thuhet sepse kjo shkëputje dhe futja në rolin e presidentit të republikës ka të bëjë me një filozofi të caktuar, me një mendim politik të zotit Topi. Apo në të kundërt kemi të bëjmë thjesht vetëm me një avantazh po themi në thonjëza që kryeministri Berisha ia jep gjithë institucioneve të pavarura që për një periudhë shumë të shkurtër edhe njerëzit e tij që vihen në këto institucione ai i shndërron në armiq apo në kundërshtarë.”

Fatos Lubonja: “Ndjehet rezistenca e Topit për të ruajtur pavarësinë e institucionit nga partia që e ka zgjedhur. Por sipas gjykimit tim nuk besoj se këto mund të shkojnë larg në konflikte të mëdha, të paktën deri tani.“

Katër vitet e ardhshme do të kushtëzohen pse jo edhe nga fituesit e zgjedhjeve 2009.

Fatos Lubonja: “Presidenti ka qenë shumë i varur nga kjo lojë politike, kështu që varet shumë edhe nga ajo çka do të ndodhi kush do të fitojë në 2009. Do fitojë mazhoranca që është sot apo do të kemi një mazhorancë tjetër. Të gjitha këto e bëjnë pak a shumë të paparashikueshme deri në njëfarë mase, por besoj se nga ana tjetër do të kemi një rritje  të pavarësisë.”

Andi Bushati: “Po të bëjmë një hamendësim edhe me pak humor unë do të thosha që zoti Topi do jetë më i pavarur duke qenë në pushtet Berisha sesa duke qenë në pushtet socialistët. Socialistët kanë atë aftësinë me të gjitha mënyrat për ti bërë njerëzit për vete, kurse Berisha ka të kundërtën e tyre për ti larguar.”

Një vit nga zgjedhja e tij në krye të shteti, rrugëtimi i Topit drejt fundit të mandatit tingëllon me një sfidë për pavarësinë, një sfidë që duhet ende ta fitojë. /tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi