Presidenti Bamir Topi vizitoi sot për herë të dytë Kosovën nga cilësia e kreut të shtetit shqiptar.
Ndalimi i parë i presidentit Topi në Prishtinë sot ishte NewBorn, apo simboli i 17 shkurtit të vitit 2008.
Bamir Topi: “Kjo vepër artistike, shumë simbolike “NewBorn” e shkruar në anglisht, tregon që pavarësia e Kosovës erdhi në sajë të përpjekjeve të popullit të Kosovës, por me asistencën e padiskutueshme e miqve ndërkombëtar.”
Më pas ai është takuar me homologun e tij Fatmir Sejdiun. Garda e TMK-së ka nderuar të dy presidentët.
Në konferencën e përbashkët Topi dhe Sejdiu kanë folur për intensifikimin e raporteve mes të dyja vendeve, e veçmas për krijimin e një Shengeni ballkanik. Por nuk kanë munguar komentet edhe rreth problemeve që po shfaqen aktualisht në veriun e Kosovës.
Bamir Topi: “Incidentet që ndodhin në veriun e Kosovës kanë një background ultranacionalist. Është e dukshme se nga vijnë. Ju siguroj që Shqipëria nëpërmjet institucioneve të veta do të jetë pjesë e denoncimit të gjithë këtyre ndërmarrjeve negative që kanë një prapavijë të qarqeve të ulëta nacionaliste, serbe.”
Fatmir Sejdiu: “Është tepër e nevojshme që të japim një shembull të veçantë të një bashkëpunimi të ngushtë të vendeve të rajonit. Ne mendojmë se do të startojmë në këtë mënyrë themi të realizimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve pa pjesën e formaliteteve që mund të jenë pjesë e pengesave administrative kur kanë qenë, ta zejmë çështja e pasaportave dhe kjo të jetë një shembull në komunikim edhe me vendet e tjera të rajonit flas me Malin e Zi dhe Republikën e Maqedonisë.”
Ndalesa e tretë e presidentit shqiptar ishte zyra e kryeministrit të Kosovës. Aty presidenti Topi dhe kryeministri Thaçi kanë biseduar për ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve të dyja vendeve. Sipas tyre bashkimi shqiptarëve do të ndodh në Europë.
Bamir Topi: “Ne jemi shprehur në mënyrë shumë institucionale që Shqipëria, Kosova dhe shtetet e tjera të rajonit do të bashkohen në Brukselin euroatlantik.”
Hashim Thaçi: “Unë jam idhtari i modeleve globale, evropiane dhe jo vetëm kuptimin e ngushtë, natyrisht respektimit dhe marrëdhënieve bilaterale, por jo vetëm në nivel kombëtar, por rajonal dhe Europian dhe çdo shtet si i veçantë, e theksoi edhe presidenti Topi edhe i rajonit, i Ballkanit Perëndimor do të integrohet në strukturat e NATO-s, në strukturat e BE-së.”
Me këtë rast Thaçin dhe Topi kanë shkëmbyer erdhe dhurata derisa kryeministri Thaçi i dha një pikturë me portretin e presidentit Topi. Ky i fundit e shkëmbeu portretin me kompletin e librave të shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare.