Zgjedhjet e 28 qershorit kanë marrë edhe vlerësimin e Francës, një prej demokracive më të konsoliduara në botë. Presidenti Nikolas Sarkozi, në një mesazh dërguar kryeministrit Berisha, të bëra publik nga zëdhënësja Juela Meçani, e uron atë për emërimin në krye të qeverisë së re dhe thekson se procesi zgjedhor shënoi një fitore të demokracisë.

Juela Meçani: “Në emrin tim personal dhe në emër të Francës ju dërgoj ju urimet e përzemërta dhe të sinqerta me rastin e emërimit Tuaj në krye të qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Përparimet e konstatuara në zhvillimin e zgjedhjeve legjislative përfaqësojnë një fitore të demokracisë.”

Presidenti francez vlerëson gjithashtu progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimin evropian dhe e siguron kryeministrin Berisha për mbështetjen e vendit të tij në këtë proces.

Juela Meçani: “Franca do të bëjë çmos që të transmetojë shpejt në Komisionin Europian kandidaturën e vendit tënd. Franca do ju japë Ju të gjithë mbështetjen e saj. Ajo thekson vullnetin për të vepruar në këtë drejtim dhe për të mbështetur transmetimin e shpejtë të kandidaturës së vendit tuaj në Komisionin Evropian. Unë vlerësoj shumë madhësinë e përparimit të realizuar nga Shqipëria në rrugën e afrimit të saj evropian dhe ju inkurajoj Ju të vazhdoni me reformat e ndërmarra.”

Duke sjellë në vëmendje takimin miqësor të 24 prillit në Paris, presidenti Sarkozi shpreh dëshirën dhe përkushtimin e tij personal për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, veçanërisht në fushën ekonomike./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami