Presidenti Fatmir Sejdiu, është kthyer optimist nga Nju Jorku, ndonëse gjasat janë të mëdha që asambleja e përgjithshme e OKB-së ta miratojë rezolutën e Serbisë kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Me t’u kthyer në Prishtinë presidenti tha se me gjithë obstruksionet e Beogradit, njohja e pavarësisë së Kosovës nuk do të ndalet, madje sipas tij shumë shpejt vendi do të njihet edhe nga Maqedonia dhe Mali i Zi.

Fatmir Sejdiu: “Sado që bën përpjekje Serbia për të penguar njohjet republikës së Kosovës me atë kërkesën e saj që e ka kapërcyer në komunitetin paraprak por të shkuar në asamblenë e përgjithshme. Jemi shumë të bindur se njohjet nuk do të ndalen. Presim, nuk mund të them datë se do të mbyllet cikli i njohjeve nga vendet e rajonit, flas me republikën e Maqedonisë dhe republikën e Malit të Zi”.

Gjatë qëndrimit në Nju Jork, presidenti Sejdiu shoqërohej dhe nga Ministri i Punëve të Jashtme Skënder Hyseni. Për një javë të qëndrimit pranë punimeve të sesionit të 63 të asamblesë së përgjithshme të OKB-së, delegacioni kosovar ka zhvilluar mbi 50 takime zyrtare. Këto takime kanë pasur 2 qëllime 1 që të ndikohet në rritjen e numrit të njohjeve të pavarësisë së vendit dhe 2 që të dëmtohet iniciativa e Serbisë.

 Fatmir Sejdiu: “Asnjë prej përfaqësuesve të vendit që kam takuar nuk ka thonë se është kundër Kosovës, asnjë … Mund të jetë ndonjë vend që ka kërkuar thjeshtë në një farë mënyre mirëkuptim për një proces pak ma të gjatë studimit …”.

Me gjithë fushatën kundër iniciativës së Beogradit që po bën Prishtina, duket se kërkesa e Serbisë që të merret mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, do të gjejë përkrahje në asamblenë e përgjithshme të OKB-së. Kërkesa e Serbisë do të jetë në agjendën e  punimeve të asamblesë me 8 tetor./tvklan.al

Gazetar: Leonard Kërquki