Kreu i shtetit Bamir Topi, ka pritur në një takim të veçantë familjarë të viktimave të masakrës së 27 shkurtit 1951, ku u pushkatuan 22 vetë pas bombës që shpërtheu në ambasadën sovjetike në Tiranë. Viktimat e kësaj masakre që u dënuan nga sistemi komunist, ishin disa prej intelektualëve më në zë të asaj kohe. Presidenti Topi e ka konsideruar këtë ngjarje si më të egrën e asaj periudhe.

Bamir Topi: “Pa dyshim ka qenë një ngjarje që pat tronditur të gjithë opinionin publik shqiptarë, por dhe ndërkombëtarë, jo sepse në atë kohë nuk ishte represioni, jo sepse në atë kohë nuk zhvillohesh gjenocid por ky është rasti më elokuent i egërsisë dhe i mungesës totale të asaj që ne shpresojmë ta realizojmë sot të shtetit ligjor”.

Familjarë e të afërm të cilët u vranë nga regjimi i asaj kohe, falënderuan presidenti për nderin dhe respektin e treguar për këta njerëz pas vdekjes. Në emër të 22 familjarëve të viktimave, përshëndeti shkrimtari dhe përkthyesi i njohur Amik Kasoruho, i biri i të ndjerit Qemal Kasoruho. Në këtë ceremoni aktori i mirënjohur Rikard Ljarja, lexoi për të gjithë të pranishmit fragmente të librit të Uran Butkës, “Bombë në Ambasadën Sovjetike”./tvklan.al

Gazetari: Edian Gjoni

Montazh: Ergis Hasanbelli