Nishani: Tashmë lista të sakta zgjedhjesh
Qeveria Shqiptare prezanton regjistrin elektronik të shtetasve, realizimi i të cilit u bë i mundur falë bashkëpunimit me qeverinë austriake. Ministri i Brendshëm Bujar Nishani, e cilësoi këtë një moment të rëndësishëm për shkak të ofrimit të të dhënave të sakta dhe elektronike, ndryshe nga metoda e hershme manuale. Kjo e fundit një praktikë që sikurse tha ministri Nishani, ka reflektuar më herët në hartimin e listave të pasakta zgjedhore.
Bujar Nishani: “Një regjistër i cili përbën sot një burim të sigurt dhe korrekt për një sërë shërbimesh. I pastruar nga dublikimet, një regjistër i cili përbën një bazë të sigurt për prodhimin e dokumenteve të reja të identitetit për qytetarët shqiptar, një regjistër i cili përbën një burim të sigurt për gjenerimin e listave të votuesve për zgjedhësit shqiptar, i cili ka siguri të lartë në ruajtjen e të dhënave të çdo qytetari shqiptar, dekonspiron çdo tentativë manipulimi. Një regjistër i cili është në përdorim dhe në menaxhim të drejtuesve të qeverisjes vendore, në çdo komunë dhe bashki të vendit.”
Zëvendës kryeministri Genc Pollo, u fokusua në një tjetër moment të rëndësishëm siç është pajisja e shtetasve me letërnjoftimet e reja.
Genc Pollo: “Është një shenjë e mirë për procesin zgjedhor që nga 120 mijë persona që deri tani kanë aplikuar për letërnjoftimet elektronike, afërsisht gjysma i përkasin kontingjentit të qytetarëve e pa pasaportë.”
Në takim ministri i Brendshëm Bujar Nishani foli edhe për një tjetër ambicie qeveritare që pason ngritjen e regjistrit elektronik të shtetasve, integrimin këtij regjistri në sistemin e regjistrit gjyqësor atë të pronave, duke garantuar shërbim të shpejtë dhe cilësor për qytetarët.
Pone: Fundi i shkurtit, aplikimi në 100 bashki e komuna
Ferdinand Pone: “Deri në fund të muajt shkurt 2009 do të realizohet hapja dhe fillimi i procesit në më shumë se 100 bashki dhe komuna të vendit, bashkitë dhe komunat e mëdha të Shqipërisë me mbi 10 mijë banorë ose dhe më shumë që përfshin një popullsi prej 3 100 147 banorë, ose pak më shuam se 73% e popullsisë së vendit që janë nën aplikim, deri në momentin që po komunikojmë janë hapur të gjitha pikat e aplikimit, stacionet e aplikimit, përveç gjithë qyteteve kryesore qendër qark, ose mbi 30 mijë banorë që ishte faza e parë le të themi ajo deri diku nga fillimi i muajt shkurt.”/tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi
Operator: Enver Shehu