Emisioni Pro Business në Tv Klan Plus i drejtuar nga gazetarja Oljana Maloku është ndalur këtë të hënë tek sektori i turizmit për të bërë një përmbledhje të këtij viti.
Sipas shifrave të bëra publike nga Instat për tremujorin e tretë të këtij viti sektorët që janë të lidhur me turizmin dhe shërbimet turistike kanë performuar me rënie , edhe pse janë muaj që përkojnë me pikun e sezonit turistik; korrik,gusht dhe shtator.
E thënë në shifra sipas statistikave afatshkurtra në sektorin e shërbimeve, rënia e indeksit të shitjeve neto për agjencitë e udhëtimit ishte – 57 përqind, transporti minus 37 përqind, hotelet pësuan rënie me 34 përqind dhe baret e restorantet me 24 përqind, të gjitha këto krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Menaxherë të hoteleve në bregdetin e durrësit thonë se edhe pse njësitë akomoduese gjatë kulmit të sezonit ishin të mbushura fitimet shënuan rënie.
Në një intervistë për emisionin Pro Business Kryetari i Unionit Turistik Shqiptar Z. Rrahman Kasa thotë se goditja në sektorin e turizmit ka qënë e madhe dhe shumë nga aktorët e këtij sektori nuk e konsiderojnë fare vitin 2020 si vit turistik.
Sa i përket festimeve në fundvit, Kasa thotë se shumë Shqiptarë kanë bërë prenotime në vendet malore turistike në Kosovë në vila apo njësi akomodimi private dhe janë thuajse të gjitha të zëna nga Shqiptarët.
Kryetari i Unionit Turistik Shqiptar i bë thirrje qeverisë që të japë më shumë mbështetje për sektorin e turizmit , të paktën në të njëjtat nivele me vendet e rajonit.
Ndiqni për më tepër intervistën e plotë!
Intervistë me Z. Majk Kulla Menaxher Hoteli
Intervistë me Z. Rrahman Kasa Kryetari i Unionit Turistik Shqiptar