” Pro Business” një emision nga Oljana Maloku në Klan Plus.
Shtyrja e Rivlerësimit të Pronave, efektet në treg
Emisioni “Pro Business” në Klan Plus është ndalur tek shtyrja e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme dhe pasojat tek tregu i rishitjes. Përfaqëses të qeverisë kanë deklaruar se rivlerësimi do të kryhet në vitin 2025 kur të caktohen çmimet e reja të referencës së pronave në të gjitha bashkitë. Por nga shoqata “Narea” thonë se ky lajm rrit presionin mbi tregun e pasurive të paluajtshme.
“Ky është një zhvillim i radhës që rrit presionin mbi tregun e pasurive të paluajtshme, sidomos të pjesës së rishitjes, për shkak se kemi një shtyrje të paqartë në afate. Dimë diçka në 2025-ën, por akoma nuk kemi një deadline. Tashmë e kishim shumë të paqartë a do të ndodhte në fund të Shtatorit apo do ndodhte dikur. Dikur lexuam raportime mediatike që do të ndodhte në Janar të 2025 dhe tani jemi diku në 2025, por nuk e dimë se kur. Dhe kjo nga ana tjetër sjell një efekt të drejtpërdrejtë dhe mbi klientët tanë të cilët kanë dëgjuar ministrin që thotë do bëhen në 2025 dhe nuk janë gati të tregtojnë pasuritë e tyre pa filluar të paktën 2025 duke menduar që në Janar do të fillojë kjo gjë dhe është totalisht presion mbi tregun. Sepse ne kemi qenë duke operuar në tregun e shitësit. Pra kemi pasur probleme me stokun, me gatishmërinë e shitësve të tregtonin nën barrën 15%, shto dhe se do bëhet në 2025 dhe është bërë totalisht e pamenagjueshme.”- thotë Z. Reinaldo Pipiria – Drejtor Ekzekutiv i “Narea”-s.
Eksperti i tregut të Real Estate thotë se nuk është domosdoshmëri pritja e caktimit të plotë të çmimeve të referencës.
” Ka shumë pikëpyetje dhe besoj i takon Ministrisë së Financave të shpjegojë pse po ndodh shtyrja e këtij vendimi. Pse ka lejuar ngritjen e çmimit të referencave për 60% të tregut. Pse nuk bëhet fushata e rivlerësimit për këtë 60% të tregut, por penalizon këtë 60% dhe mbahet peng e gjithë ekonomia shqiptare për një 40% që është shumë kollaj për të dalë në rezultate”.- u shpreh Z.Pipiria.
Shtyrja e Rivlerësimit të pronave me 5% nga 15% që është aktualisht sipas Z.Pipiria do të sjellë një ulje të stokut të apartamenteve në shitje për qytetarët.
“Aktualisht do të kemi një rënie të stokut të apartameteve që do të jenë në shitje dhe ato që do të jenë aty do të vijojnë të përballen me një kërkesë të lartë dhe do të ketë presion rritës. Minimumi do të shtojnë diferencën midis 5% dhe 15%, do të shtojnë një 10% mbi çmimin nëse duan të mbylli transaksionet. Është e qartë aktualisht se zonat përqark Tiranës, po themi pjesa më ekonomike sot është diku te 800-900 Euro për metër katrorë, pra zonat e Freskut apo Kombinatit. Dhe gjithmonë e më tepër në Tiranë shihen zonat që janë 1000 Euro, 1300 Euro e ato në zhvillim.Në çdo moment që oferta është në rënie, bëhet shumë ë evështirë për qytetarët. Dhe sot aktualisht kemi një ofertë e cila është e shtrënguar, njerëzit nuk janë gati ta tregtojnë pasurinë e tyre.”
Real Estate dhe ndërtimi, flet sipermarrësi Sokol Çili
E ndërsa pritet caktimi i një date për rivlerësimin e pronave me 5 përqind gjatë vitit 2025-së, Sipërmarrësi Sokol Çili thotë në emisionin Pro Business në Klan Plus se situata aktuale nuk është e favorshme pasi krijon bllokim të transaksioneve.
“Në momentin që u bë e ditur si lajm pati një gëzim në mesin e agjentëve të pasurive. Megjithatë pati bllokim në transaksione, pastaj kur u përmend rivlerësimi në Shtator, pati sërish një entuziazëm, tregu u lirua, filloi duke patur pak lëvizje. Dhe pastaj u mor vesh kjo pjesa e shtyrjes dhe gjykoj që nuk është një situatë e favorshme, përsa I përket lëvizjeve në këtë lloj sektori. Por gjithsesi do të mbijetojmë, do ta kalojmë.”
Sipërmarrësi Çili bën biznes në fushën e tregtimit të pasurive të paluajtshme mes Shqipërisë dhe Dubait. Ai shpjegon se si funksionon atje.
“Në Dubai, nuk ekziston një taksë për atë që shet, por ekziston një taksë prej 4% për atë që blen. Pra sido që të shkojë çmimi, personi që shet duhet të ketë fitim, sepse nga ana ekonomike atë që do të fitojë do ta shpenzoje prap brënda vendit. Dhe 4% për atë që blen funksionon kështu gjithmonë.”
Flet për lehtësi në taksa.
“Unë mendoj se taksa ose duhet të ulet dhe të jetë diçka fikse, ose duhet të hiqet fare dhe të kalohet në modelin e një ekonomie që është e suksesshme. Pra pse mos të marrim këto modelet që janë sukses ekonomik, që atraktojne bizneset apo dhe investitorët, pra që njerëzit kanë entuziazëm në jetën e përditshme.”
Në fokus të ndërtimeve të reja duhet të jetë infrastruktura e duhur.
“Kjo periudhë ka qenë pak e vështirë, dmth edhe për pjesën e ndërtimeve të vjetra por edhe për pjesën e ndërtimeve të reja. Ndërtimi është ekzagjeruar për mendimin tim, pasi po jepen më shumë leje seç duhet në raport me si po rregullohet infrastruktura. Se vërtet mund të japësh leje që të ndërtohet, porn ë momentin që ke një rrugë që është bërë që në kohen e komunizmit ose në kohën që kanë qenë 3 pallate, është pak e vështirë jetesa.Domethënë ndërtojmë, ndërtojmë dhe pastaj kuptojmë nga do të kalojnë makinat, nga do të dale ky trafik dhe të gjitha të komplikojnë. Dhe ajo puna e turistit lobon dhe flet në të kundërt pastaj dhe na kalon në anti-reklamë. Se ne momentalisht jemi në një boom nga ana e marketingut dhe është bërë punë shumë e mirë në këtë pjesë. Por ky marketing a do të na ktheje në të kundërtën apo do të na mbaje kështu siç është. Domethënë kjo është pikëpyetja.” – u shpreh Z.Sokol Çili.