Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Seanca e radhës e procesit gjyqësor ndaj ish-presidentit të fondacionit Xhaferri, qe parashikuar të ishte e parafundit dhe të vazhdonte me deklarimet e avokatëve mbrojtës. Por në fillim të saj, tre avokatë të tjerë thanë, përpara trupit gjykues, se kishin ardhur të mbrojnë djalin dhe vëllain e Rrapush Xhaferrit, të cilët gjykohen në mungesë, Përparim dhe Liman Xhaferri. Por vetë i pandehuri Rrapush Xhaferri u shpreh kundër kësaj dhe tha, se ishte i kënaqur me mbrojtjen që i ka bërë deri tani 5 të akuzuarve, dy avokatët.

Rrapush Xhaferri:- “Unë mendoj të mbarojë ky proces kështu siç e kemi, asnjë gjë mangët nuk kemi lënë, qoftë avokatët mbrojtës, qoftë ne në diskutimet tona dhe në shpjegimet që kemi dhënë”.

Gjyqtari Sokol Çomo përjashtoi nga pjesëmarrja në seancë, njërin prej avokatëve që u paraqitën sot, pasi ai kërkoi shpjegime, ndërkohë që trupi gjykues e kishte ndërprerë seancën. Në vijim të saj u vendos të pranohej, që vetëm i pandehuri Liman Xhaferri të kishte një mbrojtës tjetër. Ndërsa u refuzua mbrojtësi i Përparim Xhaferrit.

Gjatë kësaj seance, avokati mbrojtës i kësaj firme, kërkoi pafajësinë për dy të akuzuarit e pranishëm. Sipas avokatit, prokuroria nuk ka paraqitur gjatë procesit, dokumentet që pasqyrojnë shumën prej më shumë se 900 milion lekësh të reja, të depozituara në llogarinë bankare në emër të Xhaferrit. Ai e quajti tepër të rreptë, dënimin që kërkoi prokurori dhe theksoi se asnjë nga kreditorët e firmës, nuk ka bërë denoncim ndaj klientëve të tij.

Në seancën e kaluar, akuza kërkoi dënimin me 76 vjet burg gjithsej për pesë anëtarët e familjes Xhaferri. Në konkluzionet përfundimtare, prokurori konkludoi, se shuma që Xhaferri i detyrohet kreditorëve është mbi 15 miliardë lekë./tvklan.al