Nis pagesa me bono privatizimi pranë sporteleve të bankave.
Prej së mërkurës, qytetarët në proces legalizimi kanë mundur të paguajnë me letra me vlerë detyrimin e përllogaritur ndaj agjencisë së legalizimit.
Sipas bankave, prej ditës së parë të futjes në përdorim edhe të bonove të privatizimit si mënyrë pagese për legalizimin e banesave, interesi i qytetarëve ka qenë i lartë.
Entela Haxhialiu: “Klientët janë pajisur nga zyrat rajonale të Aluiznit me formularët përkatës. Paraqiten pranë sporteleve të bankës. Nga dita e djeshme, fluksi i klientëve të cilët janë paraqitur pranë sporteleve të bankës Credins ka qenë i konsiderueshëm për pagesat e legalizimit me bono privatizimin.”
Përqindjet e pagesës me bono privatizimi për legalizimin e banesave janë tashmë të përcaktuara.
Për sipërfaqen deri 500 metra katror jashtë vijës së verdhë, me bono paguhet 70% e detyrimit ndaj agjencisë së legalizimit.
Brenda vijës së verdhë deri në 300 metra katror paguhet 70% me bono, kurse për sipërfaqet nga 300 në 500 metra katror me letra me vlerë paguhet 50% e detyrimit monetar, ndërsa për personat që kanë shlyer në kesh detyrimin ndaj Aluiznit, ende nuk janë detajuar procedurat për rimbursimin nëpërmjet pagesës me bono./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro