Kompensimi i ish-pronarëve ka ecur me ritme të avashta, ndërsa edhe vetë interesi i qytetarëve është i ulët. Sipas drejtorit të Agjencisë së Trajtimit të Pronave, nga rreth 25 mijë dosje të vlerësuara, janë paraqitur vetëm 2 567 aplikime për kompensim, pra vetëm 10% e totalit. Nga këto gati dy të tretat kanë mbetur pa ekzekutuar.

“33.9% janë ekzekutuar, nga agjencia e Trajtimit të Pronave”, thotë Erion Çaka, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Trajtimit të Pronave

Sakaq për njohje pronësie pranë agjencisë së trajtimit të pronave janë në proces shqyrtimi rreth 6900 dosje dhe praktika, ndërsa që nga hyrja në fuqi e ligjit në vitin 2022 janë trajtuar vetëm 550 dosje, pra 8%.

“Procedura e kontrollit të kryera nga gjykata Kushtetuese, si dhe parashikimet ligjore në lidhje me bashkëpunimin institucional, kanë ndikuar në shqyrtimin e dosjeve”, shprehet Çaka.

Për këto arsye ministria e Drejtësisë propozoi shtyrjen e afatit që ishte fundviti i 2024-ës, deri në Dhjetor të vitit 2027 për shqyrtimin e dosjeve, dhe deri në fundvitin e 2028 për kompensimet. Pas miratimit nga Këshilli i Ministrave pritet shqyrtimi dhe votimi në Kuvend.

“Janë marrë masat e nevojshme. Numri i vendimeve i parashikuar të jepen për çdo muaj është rreth 200 vendime, duke siguruar përmbylljen e procesit brenda afatit të parashikuar me shtyrjen e ligjit.”

Fatura totale për 25 mijë vendimet e miratuara për kompensim është 121 miliardë Lekë, ndërsa deri më tani janë ekzekutuar vetëm 8.4 miliardë Lekë.

Zonat që kanë kërkesat më të larta për njohje pronësie janë Vlora, Tirana, Shkodra, Korça, Durrësi, Fieri Gjirokastra.

Tv Klan