Sekretari Amerikan i shtetit, Marco Rubio njoftoi të hënën se po vepron si administratori i USAID-it, duke konfirmuar marrjen përsipër de-facto të agjencisë humanitare nga DASH. Lajmi u bë publik disa orë pasi Elon Musk, njeriut që i është besuar rinovimi i qeverisjes federale, tha se Donald Trump ka rënë dakord për mbylljen e agjencisë.

Rubio u shpreh se “funksionet e USAID”, duhet të jenë në një linjë me politikën e jashtme amerikane dhe se është një “agjenci krejtësisht e papërgjegjshme”. Sekretari i Shtetit tha se ai po shërben si administratori në detyrë i USAID, por se ia ka deleguar autoritetin dikujt tjetër me të cilin është në kontakt të vazhdueshëm.

I pyetur gjatë vizitës në Panama për argumentet se puna e USAID është jetike për sigurinë kombëtare dhe promovimin e interesave amerikane, Rubio tha: Ka gjëra që i bëjmë përmes USAID dhe do të vazhdojmë t’i bëjmë. Por çdo gjë që bëjnë duhet të jetë në linjë me interesin kombëtar dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Kjo nuk ka të bëjë me përfundimin e programeve që USAID bën në vetvete. Ka gjëra që i bën që janë të mira dhe ka gjëra që bën për të cilat kemi pikëpyetje të forta.

Në një postim në rrjetin social X në pronësi të tij, Elon Musk, të cilit i është lënë detyra e eficencës së qeverisjes, e konsideroi agjencinë “organizatë kriminale”. Ai u shpreh se agjencia nuk ishte veç një mollë e kalbur, por një top plot me krimba dhe tha se presidenti Trump mendon që kjo agjenci të mbyllet.

Puna e agjencisë, prej ditësh është e pezulluar, ndërsa punonjësit e saj u udhëzuan të mos futen të hënën në selinë qendrore në Uashington.

Gjithashtu rreth 600 punonjësve u ishte ndaluar qasja tek sistemet kompjuterike të agjencisë, ndërsa asetet e saj nëpër botë janë ngrirë me urdhër të Donald Trump dhe Departamentit të Shtetit që e ka nën juridiksion.

Të Shtunën, dy zyrtarë të sigurisë së USAID-it u penguan hyrjen përfaqësuesve të departamentit të Musk, të cilët kërkonin të dhëna për fondet, në kuadër të misionit për reduktimin e shpenzimeve të tepruara të administratës amerikane. Përfaqësues të kësaj agjencie thanë se personat që u paraqitën nuk ishin të autorizuar për të marrë informacion.

SHBA janë donatorët më të mëdhenj të ndihmave humanitare nëpër botë përmes USAID që administron miliona dollarë që jepen për projekte zhvillimi më shumë se 100 vende që luftojnë me varfërinë. Sipas Ambasadës Amerikane në Tiranë, që nga hapja e zyrës së tij në 1992, USAID ka dhënë 500 milion dollarë asistencë gjatë tranzicionit dhe zhvillimeve demokratike në Shqipëri./tvklan.al