Sipas draftit të Celibashit, zarfet me votat e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit do të vlerësohen nga një komision i ngritur nga KQZ dhe do të numërohen po nga njerëz të caktuar nga ky komision.
Vetëm partitë parlamentare do të kenë të drejtë të kenë vëzhgues në këto tryeza numërimi. Nëse vëzhguesit do të kenë vërejtje për numëruesit e caktuar nga KQZ, ata kanë të drejtë të kërkojnë zëvendësimin e tyre, por këtë të drejtë mund ta ushtrojnë vetëm 1 herë.
Sipas Kodit Zgjedhor, KQZ nuk do të numërojë asnjë votë nga emigrantët që mbërrijnë në Shqipëri pas orës 19 të datës 11 Maj, kohë kur të mbyllet votimi në territorin shqiptar. Komisioni Rregullator vendosi edhe ngritjen e 93 Zonave të Administrimit Zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvend që do të mbahen në datën 11 Maj 2025.
U miratoi numrin e mandateve të deputetëve për 12 qarqet e vendit nga totali prej 140 burrash dhe grash që do të zgjidhen nga populli. Tirana do të ketë 1 deputet më shumë duke rritur në 37 numrin e të zgjedhurve nga populli, ndërsa Korça do të ketë 1 të zgjedhur më pak në parlamentin e ri ku do të shkojnë vetëm 10 deputetë nga qyteti i serenatave.
Klan News