Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, përmes Kryetarit Gazment Bardhi ka kallëzuar në SPAK dhe Prokurorinë e Tiranës Ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha; Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda; Drejtorin e Drejtorisë Vendore Tiranë, Elton Alushi dhe zyrtarë të tjerë të Policisë së Shtetit pas tubimit të zhvilluar ditën e hënë.
Ata e akuzojnë ministrin Hoxha dhe zinxhirin drejtues të policisë për protestën për kryerjen e veprave penale “Dëmtime të tjera me dashje”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Kryerja e veprimeve arbitrare”, “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, “Shkelja e barazisë së shtetasve”, “Pengim në ushtrimin e të drejtës për t’u shprehur, grumbulluar apo manifestuar”, të kryera në bashkëpunim.
Në kallëzim janë evidentuar faktet dhe provat që sipas PD-së dëshmojnë se tubimi i njoftuar ishte i ligjshëm, si një e drejtë që garantohet nga Kushtetuta dhe se pengimi nga Policia e Shtetit ishte i kundërligjshëm dhe kriminal.
“Dhuna e ushtruar ndaj deputetëve, zyrtarëve politik të opozitës dhe qytetarëve, ka qenë e motivuar politikisht dhe një akt i rëndë kriminal i kryer në bashkëpunim nga zyrtarët e policisë së Shtetit”, njoftoi zyra për shtyp e PD.
Kujtojmë se në lidhje me protestën e djeshme janë arrestuar 7 protestues ndërsa janë proceduar 40 deputetë të opozitës./tvklan.al