Policia e Tiranës ka arrestuar 7 protestues të opozitës dhe ka proceduar në gjendje të lirë 21 të tjerë, pas protestës së mosbindjes civile të së hënës.

Ata janë referuar në prokurori për akuzat: “Pengimi të qarkullimit të mjeteve “, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë ” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme”.

Gjithashtu në njoftimin zyrtar bën të ditur se ka proceduar penalisht në gjendje të lirë dhe 40 deputetë të opozitës.

Sipas policisë, deputetë të opozitës u kanë bërë thirrje tubuesve, që së bashku me ta, të bllokonin akset rrugore, në mënyrë që mos të kishte lëvizje të mjeteve. 

Opozita i është kundërpërgjigjur duke bërë padi në SPAK dhe Prokurorinë e Përgjithshme ndaj Ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, Drejtorit të Policisë së Tiranës, Elton Alushi, si dhe ndaj disa zyrtarëve e punonjësve të tjerë.

Padia është depozituar nga kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, që akuzon ata se kanë kryer 6 vepra penale.

PD pretendon se pengimi nga Policia e Shtetit në protestën e 23 Dhjetorit ishte i kundërligjshëm dhe kriminal. Gjithashtu në padi theksohet se dhuna e ushtruar ndaj deputetëve, zyrtarëve politikë të opozitës dhe qytetarëve, ka qenë e motivuar politikisht dhe një akt i rëndë kriminal i kryer në bashkëpunim nga zyrtarët e Policisë së Shtetit.

Tv Klan