Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama, ka vijuar turin e tij elektoral në qytetin e Kukësit, ku ka prezantuar dhe kandidatët për deputetë që do të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit në këtë qark. Duke u ndalur në investimin infrastrukturor të qeverisë, që do të lidhë Shqipërinë dhe Kosovën, rrugën Durrës-Kukës, Rama tha, se është i lumtur që më në fund shqiptarët nga të dyja krahët nuk i pengojnë më as malet për t’u bashkuar.

Edi Rama: “Unë dua t’ju them qysh në fillim, se jam i lumtur që rruga Durrës-Kukës do të afrojë Shqipërinë e maleve me Shqipërinë e deteve, por as kam qenë, as jam dhe as do të jem ndonjëherë i gatshëm të pranoj se për rrugën e kombit të tyre shqiptarët duhet t’i falin oborrit kryeministrorë haraçin marramendës të një grabitjeje që nuk ka mal që e fsheh dhe nuk ka det që e mbulon. Sepse me haraçin që oborri kryeministror u ka marrë shqiptarëve për rrugën e  kombit të tyre, mund të ndërtoheshin nga e para të gjitha rrugët e qarkut të Kukësit, të çdo fshati të Tropojës, Kukësit e Hasit. Të gjitha çerdhet, kopshtet e shkollat që u duhen fëmijëve të këtij qarku, të gjitha qendrat shëndetësore që u mungojnë të sëmurëve e të moshuarve në këtë qark, të gjithë ujësjellësat e kanalizimet që u duhen shtëpive e fushave të qarkut, pa ujë për të pirë e as për të vaditur tokën, ku prodhimi dështon për shkak të thatësirës apo varroset për shkak të mungesës së tregut”.

Duke folur përpara banorëve të Kukësit, Rama shprehu bindjen se rruga Durrës-Kukës është e rëndësishme për shqiptarët në të dyja anët e kufiri. Por sipas tij, me paratë e saj mund të ndërtohej edhe rruga e Arbrit, që sipas kryesocialitit ka mbetur vetëm një premtim 18-vjeçar i kryeministrit.

Edi Rama: “Me haraçin që oborri kryeministror u ka marrë shqiptarëve për rrugën e kombit të tyre, mund të ndërtohej edhe rruga e Arbrit, të cilën sot Sali Berisha e premton për të 18 vit rresht, por jemi ne që do ta ndërtojmë siç do ndërtojmë për Kukësin e për gjithë Shqipërinë një jetë më të mirë duke luftuar… që në Kukës, Tropojë e Has është 37% mbi mesataren kombëtare. Papunësinë që në Kukës, Tropojë e Has është 58% mbi mesataren kombëtare, injorancën që përmes alfabetizmit po bën kërdinë veçanërisht në fshat ku fëmijët nuk kanë as libra për shkak të varfërisë dhe as shkolla për shkak të qeverisë”.

Gjatë prezantimit të kandidatëve për deputetë në këtë qark shefi i selisë roze u angazhua për më shumë rritje të cilësisë së jetës me politikat e reja që PS ka në programin e saj qeverisës./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro