Partia Socialiste në takimin me Presidentin, Bajram Begaj ka propozuar datën 11 Maj për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare.

Sekretari i Përgjithshëm, Blendi Klosi ka theksuar se kjo është data më korrekte për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

Klosi theksoi se kjo datë është kërkuar për t’ju krijuar sa më shumë kohë emigrantëve të cilët do të marrin pjesë në procesin e votimit.

“Për të përgatitur sa më shumë këtë proces dhe për tu lënë sa më shumë kohë të gjithë emigrantëve që duan të marrin pjesë në të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet në Shqipëri ne kemi propozuar që data 11 si data më e skajshme e mundur nga hapësira që të jep kodi zgjedhor të jetë data e zgjedhjeve. Do të donim shumë që të gjithë emigrantët të nisin procesin e tyre të regjistrimit dhe pastaj të pregatitjes për ditën e votimit dhe tu krijojmë mundësi jo vetëm organizimit por edhe të kujtdo individ që do të marri pjesë në këtë proces”, deklaroi Klosi.

Ndërkohë në këto momente Begaj po zhvillon një takim me kreun e KQZ, Ilirjan Celibashi.

Partia Demokratike ka bojkotuar këtë takim, teksa më herët kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi e ka cilësuar farsë takimin e datës 25 Nëntor me kreun e shtetit, pasi sipas tij data e zgjedhjeve është caktuar nga Rama-Balla dhe se Presidenti Begaj pritet vetëm të nënshkruajë e vulosë vullnetin e partisë në pushtet.

Presidenti Begaj ndërkohë ka vijuar konsultimet me disa prej drejtuesve të partive parlamentare ku 4 përfaqësuesit e partive të vogla i kanë propozuar datën 4 Maj.

/tvklan.al