Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Partia Socialiste ka nënshkruar marrëveshjen e dytë brenda koalicionit qeverisës Aleanca për Shtetin. Këtë herë protagoniste në krah të partisë më të madhe qeverisëse, ka qenë pjesa e mbetur nga Aleanca Demokratike, pas largimit të Arben Imamit e Preç Zogaj  dhe bashkimit të tyre me opozitën.

Sekretari i përgjithshëm i socialistëve Gramoz Ruçi dhe presidenti i Aleancës Demokratike Neritan Ceka, kanë njoftuar daljen bashkë me kandidatë e platforma në zgjedhjet e ardhshme vendore.

Gramoz Ruçi:- “Ramë dakord që të forcohet bashkëpunimi në të gjitha nivelet, për fitoren në zgjedhjet lokale, me synim rritjen e efektiviteteve të qeverisjes së vendit, në nivel qendror e lokal, bazuar në marrëveshje afatgjata dhe në konsultimet e nevojshme”.

Zoti Ceka ka sqaruar se dy partitë do të dalin me kandidat të përbashkët në dy bashkitë e mëdha, ndërsa në komuna e bashkitë e vogla dhe këshilltarët lokal do të përfaqësohen me sigla të veçanta./tvklan.al